Anulohet gjykimi për shtytje në terrorizëm ndaj Ikballe Berisha-Hudutit
Është anuluar gjykimi ndaj Ikballe Berisha-Huduti, e cila nga PSRK po akuzohet se kishte bërë thirrje për hakmarrje ndaj autoriteteve amerikane të cilët kishin realizuar një sulm në Irak, ku kishte mbetur i vrarë gjenerali dhe udhëheqësi i gardës revolucionare të Iranit Qassem Solejmani.
Për këto veprime, Berisha nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), po ngarkohet me veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të enjten, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte paraparë të mbahej shqyrtimi fillestar, mirëpo sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Albina Shabani-Rama, kjo seancë ishte anuluar për shkak se prokurori i rastit Afrim Shefkiu kishte qenë i zënë.
Për këtë arsye, ajo njoftoi që seanca e radhës pritet të mbahet me 30 tetor 2020.
Sipas aktakuzës së përpiluar me 30 shtator 2020, e akuzuara Ikballe Berisha me 4 janar 2020, përmes rrjetit social “Facebook”, kishte postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes nga ushtria Amerikane e Qassem Solejmani-gjeneral dhe udhëheqës i gardës revolucionare të Iranit dhe gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi.
Në aktakuzë thuhet se e akuzuara kishte postuar tekstin “Populli Irakian doli në rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë që iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralët të tyre Gjeneral Sylejmani dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. Zoti i dasht durimin ngase të mbysësh Zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim por nuk ka kufi”.
Për këtë postim, PSRK po pretendon se e njëjta kishte shkaktuar rrezikun që një ose më shumë vepra të tilla të kryhen.
PSRK-ja të akuzuarën Berisha po e ngarkon me veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, nga neni 134 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi