25-11-2024

Anulohet konkursi për asistent administrativ në Odën e Avokatëve, rishpallet sërish

Në mbledhjen e 237-të të Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës, të mërkurën, me shumicë votash është anuluar konkursi për pozitën e asistentit administrativ në OAK dhe është rishpallur edhe një herë si dhe u formua komisioni i ri lidhur me kandidatin/en më të suksesshëm sipas normativës.

Kjo ngase pasi u hodh në votim, nuk u aprovua vendimi i komisionit për zgjedhjen e asistentit administrativ të OAK-së. Andaj, u propozua që ky konkurs të anulohet dhe të rishpallet konkurs i ri.

Fillimisht, Këshilli Drejtues me shumicë votash, katër vota për, tri abstenime dhe asnjë kundër, mori vendim që të anulohet konkursi për pozitën e asistentit administrative të OAK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, Këshilli Drejtues me gjashtë vota për, asnjë kundër dhe me një abstenim, mori vendim që të rishpallet konkursi për asistent administrativ në OAK.

Ndërsa, me vota të njëjta si më sipër, mori vendim që të formohet Komisioni për Zgjedhjen e Asistentit Administrativ të OAK-së.

Këshilli Drejtues konstatoi se Komisioni formohet prej Fetih Vokshit, Mustafë Nuhiut, të cilët patën nga pesë vota, si dhe zëvendës u zgjodh Jeton Berisha me 4 vota.

Gjithashtu, në pjesën e dytë të kësaj mbledhje Këshilli Drejtues me pesë vota për, një votë kundër dhe një abstenim, mori vendim që të gjithë punëtoret e Odës së Avokatëve të Kosovës që kanë koeficientit 5.5, t’iu bëhet 7.5, ndërsa ata që kanë koeficientin 7.5 t’iu bëhet 9.5.

Ndryshe, në këtë mbledhje, rekomandimi për zgjedhjen e asistentit administrativ, ishte çështja që u diskutua për shkak të hetimeve për rrjedhje të testit. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.