23-11-2024

Anulohet prokurimi për shujtat dedikuar nxënësve të ciklit të ulët

Komuna e Prizrenit për të dytën herë ka anuluar aktivitetin e prokurimit lidhur me shujtat dedikuar nxënësve të ciklit të ulët. Njoftimi për anulim është publikuar në portalin e prokurimit publik, dhe është bazuar në gjetjet e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

“Tenderi anulohet duke u mbështetur në njoftimin e OSHP-së me nr. 750/20, të datës 04.11.2020”, shkruan në njoftimin për anulimin e aktivitetit të prokurimit me titull “Furnizim me ushqim dhe pije për nxënësit e shkollave fillore në Komunën e Prizreni nga niveli 0 deri në 5”.

Në njoftimin e OSHP-së shkruan se operatori ekonomik “Premium Bakery” ka parashtruar ankesë për këtë tender, me pretendimin se Komuna ka shkelur dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik. Bazuar në këtë, OSHP-ja ka autorizuar ekspertin shqyrtues të prokurimit që t’i analizojë pretendimet ankimore. Eksperti shqyrtues në raportin e tij i ka propozuar panelit shqyrtues që ankesën ta aprovojë si pjesërisht të bazuar, të anulojë njoftimin për dhënie të kontratës dhe bazuar në vendimin e mëparshëm dhe urdhëresën e datës 29 korrik 2020 ka rekomanduar që ky aktivitet i prokurimit të anulohet. Komuna dhe operatori ankues me shkrim kanë njoftuar OSHP-në se pajtohen me mendimin e ekspertit. Ndërsa paneli shqyrtues ka njoftuar palët e sipërpërmendura se procedura e ankesës përfundon në këtë fazë dhe ka kërkuar nga Komuna e Prizrenit që këtë aktivitet të prokurimit ta anulojë dhe në qoftë se ka interes edhe më tutje për këtë tender atëherë ti zhvillojë procedurat e ritenderimit, raporton KOHA.

Qeveria komunale paralajmërimin për jetësimin e këtij projekti e kishte bërë qysh në fillim të vitit të shkuar. Në një publikim të saj, Komuna pat njoftuar se nga viti 2019, të gjithë nxënësve nga klasa e parë e deri në klasën e pestë do t’iu ofrojë një shujtë ditore. “Pas analizës së buxhetit, kemi gjetur mundësinë që të gjithë nxënësve t’iu mundësohet që mësimin ta ndjekin ‘me bark të ngopur’. Ky vendim buxhetit të Komunës do t’i kushtojë 600.000 euro në vit, ndërsa përfitues do të jenë afro 30.000 nxënës të këtyre moshave gjatë ditëve të mësimit. Pos saj, ky veprim do t’i kursejë prindërit dhe do të sigurojë arsimim më cilësor për fëmijët e komunës sonë”, thuhej aty.

Në bazë të dokumenteve të publikuara në ueb faqen e Komunës së Prizrenit del se kryetari Mytaher Haskuka më 17 korrik 2019 kishte marrë vendim për miratimin e propozimit të Drejtorisë së Arsimit dhe Shkencës për lejimin e realizimit të projektit “Dhënia e shujtës për të gjithë nxënësit e klasave 0-5 të Komunës së Prizrenit”, duke lejuar kështu shpalljen e tenderit për mbledhjen e ofertave përkatëse.

Komuna e Prizrenit aktivitetin e prokurimit për furnizim me ushqim dhe pije për nxënësit e ciklit të ulët e pati iniciuar më 8 gusht 2019. Afati i fundit për pranimin e tenderëve, sipas këtij njoftimi, ka qenë 27 gusht 2019. Por në bazë të kërkesës së Drejtorisë së Arsimit, Zyra e Prokurimit më 23 gusht 2019 pati nxjerrë vendim për anulimin e procedurës së prokurimit.

Pastaj në shtator të vitit 2019, Komuna përsëri ka iniciuar aktivitetin e prokurimit për ofrimin e shujtës për nxënësit e ciklit të ulët. Në njoftimin për kontratë thuhej se vlera e parashikuar e kësaj kontrate është 1 milion euro me kohëzgjatjen prej 12 muajsh.

“Do të sigurohet nga një shujtë ditore për rreth 13.600 nxënës në tërë territorin e Komunës së Prizrenit”, thuhej në njoftimin për kontratë, që tashmë është përmbyllur me anulim.

Komisioni për Arsim i Degës së PDK-së ka vlerësuar se qeveria lokale e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore me premtimet e dhëna i ka futur në lajthitje qytetarët.

“VV-ja premtoi shujtat për nxënës të shkollave fillore dhe nuk i bëri realitet”, ka vlerësuar kjo parti opozitare.

Muaj më parë Instituti GAP ka publikuar progresin në përmbushjen e premtimeve nga kryetarët e komunave, ku figuron se deri në qershor të këtij viti shujtat ushqimore nuk janë shpërndarë për nxënësit në Komunën e Prizrenit dhe shtohet se: “Komuna ka raportuar se procedurat tenderuese kanë mbaruar, është kontraktuar kompania dhe në momentin që fillon mësimi do të bëhet dhënia e shujtave”./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.