22-11-2024

Apeli e lë në paraburgim drejtorin e KPK-së të arrestuar për korrupsion

Gjykata e Apelit, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj drejtorit të sekretariatit në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) Lavdim Krasniqi si dhe atë të arrestit shtëpiak prej 30 ditësh ndaj zyrtares tjetër në KPK, me inicialet M.B.

Siç thuhet në njoftimin e Apelit, kjo gjykatë ka vlerësuar se ka bazë ligjore për caktimin e masave të lartcekura, ndaj të pandehurve, meqenëse sipas Apelit, ekziston dyshimi i bazuar ata kanë kryer veprat penale, për të cilat po dyshohen, e po ashtu ekzistojnë rrethana të posaçme që e bëjnë të besueshme friken se me gjetjen e tyre në liri, mund të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale apo ta përsërisin veprën penale.

Ndryshe, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 mars 2021 i kishte caktuar masën e paraburgimit ndaj Drejtorit të përgjithshëm Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, i njëjti përmes ankesës i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit.

Këtë për “Betimi për Drejtësi” e kishte konfirmuar mbrojtësi i Krasniqit, avokati Ramë Gashi.

Avokati Gashi, për “Betimi për Drejtësi’, kishte thënë se përmes ankesës kishte kërkuar që të ndërpritet paraburgimi dhe që i mbrojturi i tij të mbrohet në liri apo zëvendësimin e masës me ndonjë masë më të butë.

Kjo pasi që sipas avokatit Gashi, nuk ishte arsyetuar dyshimi i bazuar mirë për veprën penale siç përcaktohet në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak për klientën e tij, M.B e kishte kërkuar edhe avokati Fatlum Podvorica, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas avokatit Podvorica, ai ankesën e kishte dorëzuar në bazë të asaj se nuk ka elemente të veprës penale tek klientja e tij dhe se nuk përmbushen kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj saj.

Ngjashëm, edhe mbrojtësi i të dyshuarit A.K, avokati Miftar Qelaj, kishte njoftuar se ka bërë ankesë për të mbrojturin e tij duke kërkuar ndërprerjen e paraburgimit, caktimin e mbrojtjes në liri apo zëvendësimin e saj me masë më të butë.

“Nuk janë plotësuar kushtet, kam konsideruar se pa arsye ju ka caktu masa, ka mundur me masa edhe më të buta me siguru prezencën e tij. Konsideroj se nuk janë plotësuar kushtet ligjore, për shkak se kërkesa e prokurorisë bazohej vetëm në dy fakte”, kishte thënë ai për “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 mars kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Drejtorit të përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi.

Ndërsa ndaj zyrtares së sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), M.B, gjykata kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak, raporton “Betimi për Drejtësi”

Kjo gjykatë më 5 mars kishte caktuar masën e paraburgimit edhe ndaj shoferit të Krasniqit, A.K.

Lavdim Krasniqi po dyshohet nga prokuroria se ka kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “ushtrimi i ndikimit” dhe veprën penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, kurse zyrtarja tjetër, M.B po dyshohet për veprën penale “moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një komunikate për media, kishte njoftuar se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Lavdim Krasniqit dhe zyrtares së sekretariatit në KPK, me inicialet M.B.

Sipas njoftimit të prokurorisë, të njëjtit po dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit”, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” dhe “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”.

Të dy të dyshuarit, me vendim të Prokurorit të Shtetit aktualisht gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.

Drejtori i Sekretariatit në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi dhe zyrtarja tjetër ishin shoqëruar të hënën për intervistim në polici, për shkak të dyshimeve për përfshirje në korrupsion.

Kurse, KPK, të martën, ka suspenduar nga detyra drejtorin e përgjithshëm të Sekretariatit, Lavdim Krasniqi.

Lajmi ishte bërë i ditur përmes një komunikate për media, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pas fillimit të procedurës penale ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit (SKPK), Lavdim Krasniqi, me dyshimin për veprat penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit”, dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, ka marrë vendim për suspendimin e të njëjtit me pagesë 50 për qind të pagës deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata kompetente”, thuhej në njoftim.

Tutje, KPK bën të ditur se është marrë vendim edhe për suspendimin e një zyrtareje të Sekretariatit, si e dyshuar për veprën penale “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”.

“Me qëllim të vazhdimit të funksionimit të administratës së sistemit prokurorial në përgjithësi, KPK-ja po sot caktoi Ushtrues të Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të SKPK-së, Valdrin Krasniqin – Udhëheqës i Zyrës Ligjore”, njofton KPK./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.