Apeli lë në fuqi dënimin prej 25 vite burgim për vrasjen në AKI, pala e dëmtuar do t’i kërkojë 1 milion euro
Valon Ibërdemaj do të qëndrojë 25 vite në burg pasi është dënuar nga shkalla e parë ndërsa aktgjykimi është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit.
Këtë e ka konfirmuar përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Skender Musa, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatës Themelore në Prishtinë ku me 18 mars të vitit 2022 Valon Ibërdemajn e kishte dënuar me 25 vite burgim për rastin e vrasjes që kishte ndodhur në objektin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) në shtator të vitit 2018.
Avokati Musa ka thënë se është vendosur drejtësia me vërtetimin e vendimit të Apelit për vrasjen në AKI.
“Si përfaqësues i familjes, palë së dëmtuar konsiderojmë̈ se është vendosur drejtësia për shkak se ka qenë një situate jashtëzakonisht e rëndë̈ e ndodhur në një institucion me një siguri maksimale”, ka deklaruar Musa për “Betimi për Drejtësi”.
Ai ka thënë se çfarë ka ndodhur në shqyrtimet gjyqësore nuk mund të bëhet publike.
Musa ka thënë se po shqyrtojnë mundësinë që t’i paraqesin Qeverisë dhe të dënuarit Ibërdemaj kërkesë pasurore-juridike në vlerë mbi një milion euro.
“Tash e tutje kompania juridike JURIDICA është duke i analizuar se cilët persona do t’i padisë dhe sipas të gjitha gjasave e paditur do të jetë Qeveria e Republikës së Kosovës së bashku me të dënuarin dhe shuma e padisë̈ mbi një milion euro”, ka deklaruar Musa.
Sipas aktakuzës së ngritur më 21 mars 2019, Valon Ibërdemaj akuzohej se më 4 shtator 2018, rreth orës 09:31, në bufenë e objektit të AKI-së në Prishtinë, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Isa Sejdiu, siç thuhet për shkak të xhelozisë, pasi që tani i ndjeri një ditë më parë në kohën e drekës, duke bërë shaka iu ka thënë zyrtarëve të AKI-së se gjoja do të bëhet i madh, pasi ato ditë pritej të emërohej zëvendësdrejtori i AKI-së.
Aktakuza thotë se duke rrezikuar edhe jetën e tani të dëmtuarës F.B, derisa i ndjeri ishte në vendin e tij të punës, si menaxher kuzhine, ka shkuar i pandehuri në kuzhinë me revole në dorë, e ka thirrur në emër “Isa”, e tani i ndjeri është përgjigjur duke thënë “Urdhno xhaxh”, dhe i pandehuri menjëherë ka shtënë dy herë në distancë prej rreth tre metrash, e ka goditur në pjesën e majtë të gjoksit dhe i ka shkaktuar plagë vdekjeprurëse, e më pastaj me revole në dorë ka dalë në oborr, i është afruar të dëmtuarës, ia ka vendosur revolen në kokë dhe e ka dërguar deri te vetura e tij, që ndodhej në parkingun e AKI-së.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Kurse, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se pasi ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, i pandehuri ka rrëmbyer F.B, në atë mënyrë që derisa e dëmtuara ka qenë duke pirë kafe në oborrin e objektit të AKI-së, papritmas ka dalë i pandehuri nga objekti me armë në dorë dhe i është afruar asaj dhe nën kanosje të armës e ka detyruar që të shkojë te vetura e të pandehurit, e cila ishte e parkuar në parkingun e AKI-së dhe e i ka vënë armën në kokë.
Pastaj, sipas aktakuzës, e ka urdhëruar të shkojë në drejtim të portës kryesore të daljes nga oborri i AKI-së, e posa ka mbërritur te porta kryesore, aty i ka kanosur me armë edhe pjesëtarët e sigurimit, duke iu drejtuar me fjalët “e vrava, shkoi çika”.
Në aktakuzë thuhet se ai ka dalë nga vetura, ka marrë të dëmtuarën dhe vazhdimisht ka mbajtur armën nga ajo, ndërsa tjetrën dorë ia ka mbajtur rreth qafe, ka ecur për të dalë jashtë objektit dhe kur është afruar te dera ka shkuar te komanda për ta hapur derën dhe aty është penguar nga zyrtari Sh.Sh, ndërsa zyrtari E.B, duke e parë atë gjendje, ka rënë në gjunjë para të pandehurit dhe i është drejtuar me fjalën “nëse dëshiron të vrasësh dikënd, më vrit mua”, e i pandehuri në ato çaste thuhet se i është drejtuar atij me fjalët “vetëm ty ta dha armën”, e më pas ia ka dhënë armën ku edhe është liruar e dëmtuara.
Më këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Rrëmbimi”.
Në pikën e tretë të aktakuzës, thuhet se nga koha e papërcaktuar e deri më 4 shtator 2018, i pandehuri pa autorizim ka poseduar armën e llojit të lartcekur, me të cilën ka kryer veprën penale, ndërsa gjatë bastisjes nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në banesën e tij është gjetur edhe sekuestruar edhe revolja e tipit “Colt Amadeous ROSSI S.A 38 special” dhe një thikë. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.