Apeli vërteton dënimin me të cilin dy të akuzuarit në rastin “Subvencionet 4” u dënuan me 3 vjet e gjysmë burgim dhe me gjobë
Ndaj vendimit të Themelores, ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Musolli për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, me propozim që Gjykata e Apelit aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë dhe të akuzuarit t’i shqiptojë dënim me kusht.
Edhe mbrojtësi i Berishës kishte ushtruar ankesë për shkak të vendimit mbi sanksionin penale, me propozim që Apeli aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë, ashtu që Berishës t’ia zbusë dënimin në 6 muaj burgim, me arsyetimin se do të jetë real dhe i mjaftueshëm.
Kurse, Prokuroria e Apelit ka propozuar që të refuzohen ankesat e mbrojtjes, ndërsa të vërtetohet aktgjykimi i Themelores, raporton Betimi për Drejtësi.
Gjykata e Apelit përmes vendimit të përpiluar më 28 gusht 2024, vlerësoi se edhe pse aktgjykimi i shkallës së parë nuk mund të ankimohet për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, megjithatë e shqyrtoi sipas detyrës zyrtare dhe gjeti se nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e as shkelje të tjera të cilat detyrimisht do të kushtëzonin prishjen e tij.
Në vendimin e Apelit, thuhet në ankesë nuk kontestohet as gjendja faktike të cilën e ka vërtetuar shkalla e parë, prandaj, as në këtë drejtim çështja nuk ka qenë objekt vlerësimi i kësaj Gjykate, e që përkitazi me këtë bazë ankimore nuk ka mundur të kontestohet ngase të akuzuarit e kishin pranuar fajësinë e që gjykata ua kishte aprovuar.
Lidhur me pretendimet ankimore për sanksionin penal, Apeli ka vlerësuar se pretendimet e mbrojtësve për një dënim më të butë janë të pabazuara.
Kolegji i Apelit thekson se Themelorja ka vlerësuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese në raport me të akuzuarit.
Në anën tjetër, për Berishën, thuhet se rrethanë rënduese është marrë për bazë shkalla e përgjegjësisë penale, ku qëllimi ishte përfitimi i dobisë pasurore. Edhe për atë, rrethana lehtësuese janë marrë rrethanat personale të të akuzuarit (fakti që është mbajtës i familjes), bashkëpunimi dhe sjellja korrekte me gjykatën dhe organet e ndjekjes penale, pendimin për kryerjen e veprave penale dhe pranimin e fajësisë. Po ashtu, faktin që më parë nuk ka rënë ndesh me ligjin.
Andaj, marrë parasysh rrethanat e lartpërmendura, gjykata ka ardhur në përfundim se me dënimet e shqiptuara, do të arrihet efekti dhe qëllimi i dënimit. Apeli vlerëson se dënimet unike të shqiptuara ndaj dy të akuzuarve, janë në proporcion me veprat e kryera penale dhe se dënimet e shqiptuara do të ndikojnë në parandalimin e të akuzuarve që në të ardhmen të kryejnë vepra penale dhe do të bëhet rehabilitimi i tyre.
Shkalla e dytë vlerëson se rrethanat lehtësuese dhe rënduese janë aplikuar drejt në rastin konkret, në përjashtim të dashjes direkte të të akuzuarve, ngase Apeli vlerëson se kjo rrethanë nuk mund të vlerësohet si rënduese.
“…marrë për bazë faktin se dashja në rastin konkret është element i vet veprës penale, nga se këto vepra penale kryhen vetëm me dashje, andaj kolegji nuk akcepton këtë rrethanë si rënduese nga se do të konsistonte në dyfishim të rrethanave dhe atë vet elementi i veprës penale do të vlerësohej edhe si rrethanë rënduese”, thuhet në vendim.
Kolegji i Apelit nuk pranon pretendimin e mbrojtësve të të akuzuarve se nuk janë vlerësuar drejt rrethanat lehtësuese për të mbrojturit e tyre dhe atë se të akuzuarit kanë pranuar fajësinë, pendimin e shprehur për veprat e kryera, rrethanat familjare se të akuzuarit janë mbajtës të familjeve të tyre, dhe premtimin se në të ardhmen nuk do të kryejnë vepra penale.
Sipas Apelit, këto rrethana janë shqyrtuar nga shkalla e parë, andaj pretendimi i tillë është i pabazuar.
“Prandaj, kjo Gjykatë vlerëson se dënimet e shqiptuara ndaj të akuzuarve nga ana e gjykatës së shkallës se parë janë në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprave të kryera penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarve si ekzekutor, dhe me intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe se me to do të mund të parandalohen të akuzuarit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale”, thuhet në fund.