24-11-2024

Apeli vërteton dënimin prej afro 25 vitesh burgim ndaj të dënuarit për vrasjen e shokut për 20 euro borxh në Suharekë

Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin prej 24 vjet e 10 muaj burgim, ndaj të dënuarit Sylejman Ahmeti, për vrasjen e Sh.K në Suharekë.

Ahmeti, më 15 gusht 2022 është dënuar me 24 vite e 10 muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prizren, për akuzën se pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh për 20 euro me tani të ndjerin Sh.K, më 26 janar 2020 ka privuar nga jeta, në kafenenë “Toni” në Suharekë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundër aktgjykimit të shkallës së parë, ankesë në Gjykatën e Apelit, në afat ligjor kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prizren sa i përket dënimit të shqiptuar, me ç’rast kishte kërkuar dënim më të rëndë për të akuzuarin Ahmeti.

Ndërsa, përfaqësuesi i të dëmtuarës Kumrije Krasnqi, avokati Miftar Qelaj kishte bërë ankesë sa i përket dënimit të shqiptuar, duke propozuar që të akuzuarit t’i shqiptohet burgim i përjetshëm.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Ahmeti, avokati Nazmi Mustafi kishte parashtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal, vendimit mbi dënimin dhe shpenzimet procedurale.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren, ankesa e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Miftar Qelaj dhe ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Ahmeti, avokatit Nazmi Mustafi, janë refuzuar si të pabazuara, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren është vërtetuar.

Sipas vendimit të Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se pretendimet ankimore nuk qëndrojnë.

Apeli ka vlerësuar se dispozitivi i aktgjykimit është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret dhe në përputhshmëri me arsyetimin dhe se i njëjti përmban të gjitha faktet dhe rrethanat nga të cilat janë plotësuar të gjitha elementet e veprave penale për të cilat akuzohet Ahmeti.

Po ashtu, kjo gjykatë ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë me administrimin e provave e ka vërtetuar se ekziston elementi subjektiv i kryerjes së veprës penale, se i njëjti me dashje ka kryer  veprimet e tij dhe se në këtë mënyrë e ka vërtetuar përgjegjësinë penale të të akuzuarit Ahmeti.

 

Apeli ka vlerësuar se dispozitivi i aktgjykimit është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret dhe në përputhshmëri me arsyetimin dhe se i njëjti përmban të gjitha faktet dhe rrethanat nga të cilat janë plotësuar të gjitha elementet e veprave penale për të cilat akuzohet Ahmeti.

“Gjykata e shkallës së parë në procedurën e provave gjatë administrimit të provave ka vërtetuar përgjegjësinë penale të akuzuarit, sepse i akuzuarit ditën kritike ka pasur me veti armën e zjarrit të tipit AK-47, kjo jep të kuptohet se i akuzuari para se të kryej veprën penale të vrasjes paraprakisht është përgatitur për një veprim të tillë, duke shfrytëzuar momentin dhe mjetin për kryerjen e veprimit kundërligjor ndaj viktimës… i akuzuari veprimet e tilla i ka marr me dashje direkte, sepse është përgatitur dhe është pajisur me armë zjarri ashtu që rrjedh konkludimi i logjikshëm se i akuzuari ka qenë i vetëdijshëm për veprimet e veta, me të cilat veprime do të shkaktohet pasoja e ndaluar”, thuhet në vendimin e Apelit.

Sipas aktakuzës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 euro, që ia kishte tani i ndjeri Krasniqi vëllait të tij, fillimisht i thotë: “a e di kë e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burrë qu dil jashtë”.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari shkon te kamioneta e tij e markës “VW”, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit “AK-47”, kalibri 7.62 mm dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu, i cili përpiqet ta pengojë të akuzuarin, Agron Krasniqin dhe mysafirëve tjerë që kishin dalë jashtë lokalit, e në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, duke e bërë të rrëzohet në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “qu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, ku i shkakton tetë plagë në regjionin e kokës, kraharorit, abdomenit si dhe në krahun dhe kofshën e djathtë, të cilat dëmtime kanë qenë të shoqëruara me thyerje në kokë, shtyllë kurrizore, brinjë, kockat e krahut dhe kofshës së djathtë, dëmtime të rënda të organeve vitale, trurit, mushkërisë së djathtë, mëlçisë, dhe veshkës së djathtë, të përcjella me gjakderdhje masive në kokë, kraharor dhe abdomen, të cilat edhe kanë qenë aty për aty vdekjeprurëse.

Me këto veprime, Ahmeti akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal, është e dënueshme me dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, i akuzuari ka poseduar armën gjysmë automatike të tipit “AK-47”, dhe për këtë ai akuzohej për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë. 

Asnjë koment

Comments are closed.