Arben Berisha: Nuk më ka nxitur Enver Sekiraqa për ta vrarë Triumf Rizën, ai është i pafajshëm
I dënuari me 35 vjet burgim për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha, tani i ftuar në cilësinë e dëshmitarit në rigjykimin ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, ka mohuar të ketë marrë urdhra nga Enver Sekiraqa për vrasjen e tani të ndjerit Triumf Riza.
“Nuk më ka nxit mu Enver Sekiraqa për me vra Triumf Rizën, as s’kom marrë urdhra prej Enver Sekiraqës për me vra, ai është i pafajshëm, as nga ndonjë familjar i tij as prej kurrkujt se nuk e kom folur me kërkon këtë rast”, ka thënë dëshmitari Berisha.
Berisha ka sqaruar rastin e ndodhur në ditën kritike se si e kishte privuar nga jeta Triumf Rizën, i cili tha se në parkingun e lagjes “Dardania”, rastësisht ishte takuar me tani të ndjerin, i cili i kishte fishkëlluar nga pas, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Mu afru Triumfi ngat, më kapi për këmishe dhe më shajti “ta q** nanën e hajnit, çka po sillesh ti knej dhe unë i thash lëshom çka po më maltreton ti sa herë po më zatet në udhë, dhe Triumf Riza më shajti më tha: hup se po ta q* nanën po të vras si qenin”, tha Berisha.
Gjatë deklarimit të tij, ai tha se nga frika, kishte shtënë dy herë në drejtim të tani të ndjerit Riza, me arsyetimin se e kishte parë dorën e tani të ndjerit që po shkonte afër brezit.
“Tani ai është kthy me shpinë nga një xhip i zi që ka qenë aty dhe u ndalë më ka shiqu dhe më tha hup se po të q* nanën po të vras dhe tani e ka çu dorën e djathtë në anën e majtë të brezit dhe unë mendova se mos po don me nxjerrë revolen dhe unë nga frika i pari e kam nxjerrë revolen e kam raportirë dhe kam shtënë dy herë rafall në drejtim të tij dhe e kam ni veten shumë të rrezikum dhe kam vepru kështu në vetëmbrojtje”, tha dëshmitari Berisha.
Ai deklaroi se në ditën kritike kishte takuar rastësisht në lokalin “Bar Sekiraqa”, Rrahim dhe Ilir Abdullahun, duke mohuar ndërlidhjen e tyre me rastin kritik.
Po ashtu, Berisha ka mohuar të ketë ditur se kanë pasur probleme mes vete Enver Sekiraqa dhe tani i ndjeri Triumf Riza.
Duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me armën me të cilën kishte shkrepur atë ditë, dëshmitari deklaroi se atë armë ai e kishte blerë katër muaj më parë me qëllimin e vetëm për ta shitur.
“Armën e pata ble katër muaj para se me ndodhë rasti, s’e kam mbajtur rregullisht, por nganjëherë. Armën e kam marrë me vete atë ditë që t’ia shes ndokujt”, tha ai.
Ai tha se kishte përvojë me armë pasi që si i ri në moshën 18-vjeçare kishte qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Koshare.
Tutje, dëshmitari Berisha ka sqaruar se përgjatë vuajtjes së dënimit për veprën e kryer, në shtëpinë e tij kishin shkuar polici Mehdi Kozhani dhe dy policë të tjerë, të cilët sipas tij kishin shkuar me urdhrin e prokurorit të EULEX-it, për të parë gjendjen financiare se kush punon nga anëtarët e familjes.
“Mehdija ka kërku nga anëtarët e familjes që me më bo presion mu kur të vijnë në burg me më vizitu, me fol për Enver Sekiraqën, se Arben Berisha nuk po flet e po rrinë në burg për tjetër kënd dhe i kanë thanë me kanë që flet Arben Berisha, tash i ka bo 8 vjet burg i kish ra me i mbajt edhe nja 2 vjet dhe ish dalë prej burgut”, tha Berisha.
I pyetur lidhur me gjendjen financiare të familjes së tij, dëshmitari tha se gjendja ka qenë mesatare pasi që të gjithë anëtarët e familjes kanë punuar dhe se ata kishin një buxhet të përbashkët familjar, ndërsa lidhur me renovimin e shtëpisë së tyre tha se kjo ishte bërë në vitin 2011 dhe se këtë e kishte kuptuar nga familjarët e tij të cilët e kanë vizituar në burg.
Dëshmitari Arben Berisha fillimisht ka deklaruar se mbetet pranë deklaratave të dhëna në cilësi të dëshmitarit pranë trupit gjykues të EULEX-it dhe pranë trupit gjykues vendor.
Ai tha se Sekiraqën e kishte njohur si figurë mirëpo nuk kishte pas ndonjë raport me të, ndërsa djalin e axhës së tij, Driton Sekiraqën, tha se e kishte njohur dhe kishte njëfarë lloj shoqërie me të pasi që edhe ai kishte qenë tregtar i veturave.
Po ashtu, edhe personin me emrin Rrahim Abdullahu tha se e kishte njohur në të njëjtën mënyrë sikurse Dritonin, ndërsa për Ilir Abdullahun tha se e kishte njohur si figurë, por që nuk kishte pasur raporte me të.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtëses së të akuzuarit Sekiraqa, avokates Kosovare Kelmendi, se a kishte njohuri se i kujt ishte lokali “Sekiraqa”, dëshmitari Berisha tha se këtë lokal e kishte njohur sikurse të gjitha lokalet e tjera që janë dhe të njëjtin e kishte frekuentuar disa herë me shoqëri të lagjes, duke përmendur emrat Fatmir Dervishi dhe Osman Teqani, kurse mohoi të ketë ndenjur me Enver Sekiraqën.
“E kam pa një herë në lokal kur jam kanë me shokë tu pi kafe aty në lokal dhe ajo ka qenë krejt rastësisht që e kam pa”, tha dëshmitari.
Po ashtu, Berisha ka mohuar të ketë punuar ndonjëherë në lokalin “Sekiraqa”, apo për këtë lokal.
I pyetur se a kishte qenë ndonjëherë në shtëpi të Enver Sekiraqës, dëshmitari Berisha tha se kur e kishte thirrë të pinte kafe Driton Sekiraqën, kishte shkuar te shtëpia e Enverit ku tha se kishin qenë dyert e oborrit të hapura dhe ishin parë disa këngëtarë.
“Dritoni më tha hajde mos më le me ndejt vetëm, hajde rrina bashkë dhe i dëgjojmë këta këngëtarë me sharkia se knojnë mirë dhe kjo ka qenë hera e parë që unë kam qenë në shtëpinë e Enverit dhe kjo ka qenë krejt rastësisht. Ndërsa, brenda në shtëpi s’kam hy asnjëherë”, shtoi dëshmitari.
Më pas, avokatja Kelmendi ia ka prezantuar dëshmitarit Berisha dy fotografi duke kërkuar nga i njëjti që ta identifikojë veten, personat tjerë dhe vendin ku ishin bërë këto fotografi.
Dëshmitari Berisha tha se këto fotografi ishin bërë në lokalin “Sekiraqa Bar”, duke vazhduar me identifikimin e personave Fatmir Dervishi, Osman Teqani dhe Ilir Abdullahu.
Ndërsa, lidhur me fotografinë e dytë, ai tha se është bërë po të njëjtën ditë, ku ishte edhe një person shtesë, për të cilin tha se është Enver Sekiraqa.
Ndërkaq i dëmtuari Shefqet Riza, babai i tani të ndjerit Triumf Riza, ka refuzuar të parashtronte pyetje për Arben Berishën, duke thënë se nuk i beson aspak dëshmitarit dhe për të nxitës i vrasjes së djalit të tij është Enver Sekiraqa dhe se kjo vrasje është bërë nga Berisha me pagesë.
Tutje, Berisha tha se me të ndjerin Riza kishte pasur edhe dy raste të mosmarrëveshjes para rastit kritik, ku sipas tij, ishte ndaluar nga ai pa u njoftuar se ai ishte polic.
“Unë kam qenë duke dalë prej një shitore në lagjen “Dardania” e cila shitore thirret “Max”, kur jam dalë prej shitores më ka ndalë dhe m’i ka kërku dokumentet, meqenëse ish kanë me rroba civile dhe unë nuk e kam njohur më përpara, ai më tha ami dokumentet dhe unë i thash kush je që me t’i dhanë dokumentet. Ai tani më tha me nervozë ami dokumentet se “t’rrehi t’çoj n’polici dhe ta bëj ma but shpinën se barkun”, pa më tregu kurrfarë dokumenti se është polic. Unë i thash çka po dyshon në mu dhe ia dhashë dokumentët, ai më tha se po më dukesh facë negative dhe pastaj më tha mbaje në mend se ku të zateti gjithë qashtu e ki dhe m’tha mos të shoh më këtu pari hiq, dhe kjo ishte hera e parë që unë jam takuar me tani të ndjerin Triumf Riza”, ka thënë Berisha.
Kurse, në rastin e dytë, ai tha se Riza e kishte ndaluar atë pa kurrfarë arsyetimi dhe e kishte goditur me shuplaka.
“Ai u kon tu e vozitë një xhip të bardhë dhe e ndali veturën e tij dhe doli prej veturës më ndali mu, dhe i thash për çfarë arsye po më ndal, dhe aj më tha çka të kam thanë ty edhe m’i dha dy shuplaka në fytyrë dhe më tha “mbaje n’mend mirë sa herë të zateti qashtu e ki dhe ik prej ktuhit”, tha Berisha.
I pyetur nga avokatja Kelmendi se a e kishte biseduar këtë çështje me dikë nga shoqëria apo familja e tij, Berisha tha se këtë nuk ia kishte treguar askujt.
“Jo nuk i kam tregu kurrkujt se m’ka ardhë pak inati, e kom mbajt në veti”, tha ai.
Në fund, mbrojtësja e të akuzuarit Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi ka propozuar që seanca të mbyllet për publikun, ashtu që lidhur me dëshmitarin D2 të diskutohet vetëm në prezencë të prokurorit special Haki Gecaj dhe trupit gjykues.
Ky propozim nuk u kundërshtua nga prokurori Gecaj dhe u aprovua nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Agim Kuçi me arsyetimin e mbrojtjes së të dhënave konfidenciale, të cilat kanë të bëjnë me dëshmitarin D2.
Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.
Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.
Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.
Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.
Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.
Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.
E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.
Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.
Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.
Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.
Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.
Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.