Ar*më, municion e pajisje ilegale konfiskoi Policia gjatë një operacioni në një podrum në veri të vendit
Policia e Kosovës ka njoftuar sot se ka sekuestruar armë, municion dhe pajisje të tjera ilegale pas një operacioni në një podrum afër Sheshit “Car Lazar”.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit, janë konfiskuar: pushkë automatike, pushkë gjahu, 50 fishekë, kondak pushke, një palë pranga, mbajtës pushke, maskë kundër helmeve me çantën e saj, këllëf arme dhe 5 karikatorë të zbrazët.
Lidhur me rastin është informuar prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës për “Mbajtje në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Deri më tani s’ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që çdo informacion për armë ilegale, substanca narkotike apo veprimtari të tjera të kundërligjshme ta raportojnë menjëherë përmes numrit 192 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.
Pas konfiskimit të këtyre armëve, reagoi edhe Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili theksoi se nuk ka më strehë për kriminelët apo elementet e tjera që cenojnë sigurinë e vendit, pas konfiskimit të disa armëve që u gjetën në një bodrum në qendër të Mitrovicës së Veriut të shtunën.
