Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti për të Mitur, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohë zgjatje prej një (1)muaji ndaj të miturit me iniciale M. B. nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale, vjedhje e rëndë në tentativë.
Nga shkresat e lëndës rrjedhë dyshim i bazuar se me datën 07.01.2019 rrethe orës 01:30 minuta pas mesnatës, në Prizren, duke vepruar së bashku me të pandehurin me iniciale A.B., me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, tentojnë të kryejnë vjedhjen nga shtëpia e të dëmtuarit me iniciale M.A.
“Duke i shfrytëzuar orët pas mesnatës, ku nuk ka frekuentim të qytetarëve, pas planifikimit paraprak në mes tyre, ata shkojnë në shtëpinë e të dëmtuarit, duke e kapërcyer derën e metalit, hynë në oborr dhe duke u munduar me një kaçavidë të hapin me forcë derën hyrëse të shtëpisë, dëgjojnë britmën e të dëmtuarit dhe ikin me vrap nga vendi i ngjarjes dhe pas disa orëve kur janë vërejtur nga ana e policisë i mituri është ndaluar, ndërsa i pandehuri i cili ishte bashkëkryerësi ka arritur që të largohet”, thuhet në kumtesën e Gjykatës.
Se a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.