07-05-2025

Arrestimi për spiunazh / Hysri Selimit i sekuestrohen 4 telefona

Një operacion i përbashkët mes Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar ka rezultuar me arrestimin e Hysri Selimit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.

Sipas raportit shtesë të Policisë, në kuadër të operacionit janë bastisur dy lokacione të ndryshme në territorin e Kosovës, ku janë konfiskuar katër telefona celularë që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së kësaj vepre penale. Materialet e sekuestruara do të përdoren si prova në procesin hetimor, transmeton IndeksOnline.

“Operacioni është zhvilluar pas hetimeve disamujore dhe aplikimit të masave të veçanta hetimore, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI)”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë Speciale.

Ndaj të dyshuarit është lëshuar aktvendim për ndalim 48 orësh, ndërsa Prokuroria ka paralajmëruar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe procedurës penale. Hetimet janë ende në zhvillim.

Asnjë koment

Comments are closed.