Arrestohen dy të dyshuar për grabitje në Suharekë
Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, në bashkëpunim me hetuesit e stacionit policor në Suharekë pas një pune operativo-hetimore dhe në bazë të informatave të mbledhura nga tereni, kanë arritur që të identifikojnë dhe të arrestojnë dy persona të dyshuar për rastin e grabitjes, të ndodhur me datën 29 janar 2021.
Përmes një komunikate dërguar mediave, Zyra për informim publik e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, njofton se në këtë rast të dyshuarit, nën kërcënimin e mjetit të mpreht (thikës), i kanë marrë viktimës portofolin në të cilin i kishte rreth 87 Euro dhe dy telefona mobil. Gjatë grabitjes të dyshuarit e kanë lënduar viktimën në regjionin e gjoksit me mjetin e mpreht (thikë) dhe të njëjtit ishin larguar.
I dyshuari A. Q i lindur në vitin 2005 (I mitur), dhe V.K i lindur në vitin 1998, janë arrestuar sot me datë 18 shkurt 2021.
Të dyshimtit janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit të mitur i caktohet masa e ndalimit prej 24 orësh, kurse të dyshuarit tjetër i caktohet masa e ndalimit prej 48 orësh.
Me rastin po merren hetimet rajonale të policisë në Prizren, thuhet në fund të kësaj komunikate.