Arrestohen edhe dy të dyshuarit e tjerë të shpallur në kërkim për rastin e 1 ton droge
Edhe dy të dyshuar që u shpallën në kërkim nga Policia e Kosovës lidhur me rastin e një ton drogë në Pejë, tashmë janë arrestuar. Engjellush Ibrahimi dhe Mirjon Qokli janë prangosur dhe së shpejti pritet të dërgohen në paraburgim, raporton Gazeta Sinjali.
27-vjeçari Mirjon Qokli është arrestuar në Cërrik nga Policia e Shtetit në Shqipëri.
Të dy dyshohen se janë të përfshirë në veprat penale kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit dhe blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Në aksionin antidrogë në Pejë, Aleks Gerbi, 49-vjeçari nga Memaliaj – Tepelenë, shtetasi i Shqipërisë, u arrestua në vendin ku u shkatërruan 2,850 bimë narkotike të llojit kanabis sativa e po ashtu u sekuestrua një sasi e madhe e marihuanës së gatshme për të dalë në treg.
Ndryshe, Gerbi ka kryer vetëvrasje në qendrën e paraburgimit.