Arrestohen katër persona në Prishtinë, për një pazar mashtrues në vlerë 1.5 milionë euro
Katër persona janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “mashtrim”, “falsifikim të dokumenteve” dhe “legalizim i përmbajtjes së rreme”, njofton Policia e Kosovës.
Sipas hetimeve, të dyshuarit dyshohet se kanë mashtruar edhe blerësin H.M., duke i prezantuar dokumentacion të rregullt për pronën, ndërsa në këmbim kanë përfituar shumën prej 1,578,180 euro.

Me urdhër verbal të prokurorit të rastit, janë realizuar kontrolle në pesë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar 9,000 euro para të gatshme, të cilat do të shërbejnë si provë në procedurat e mëtejme.

Të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale “mashtrim” (neni 323 i KPRK-së), “falsifikim i dokumenteve” (neni 390 i KPRK-së) dhe “legalizim i përmbajtjes së rreme” (neni 395 i KPRK-së).
Të njëjtit janë intervistuar sot në cilësinë e të dyshuarve, në prani të avokatëve mbrojtës, dhe pas konsultimit me prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, janë dërguar në procedurë të mëtejme./IO

