Arrestohen tetë persona e hetohen mbi një mijë futbollistë në Turqi, shkak përfshirja në baste të paligjshme
Autoritetet turke kanë arrestuar tetë persona, përfshirë kryetarin e klubit të Superligës, Eyupspor, Murat Ozkaya, nën dyshimin për përfshirje në baste të paligjshme në ndeshje futbolli.
Në një njoftim zyrtar, Federata e Futbollit e Turqisë ka bërë të ditur se janë pezulluar 1,024 futbollistë nga të gjitha ligat, ndërsa janë nisur procedurat disiplinore. Ndër të pezulluarit janë edhe 27 lojtarë të Superligës, duke përfshirë futbollistë të Galatasaray dhe Besiktas.

Federata ka kërkuar nga FIFA që të hapë një periudhë të re 15-ditore të transferimeve brenda vendit për sezonin 2025–2026, në mënyrë që klubet të plotësojnë mungesat në skuadra.
Gjithashtu, për dy javë janë pezulluar ndeshjet e ligës së dytë dhe të tretë, ndërsa të martën pritet të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e bordit drejtues.

Kreu i federatës, Ibrahim Haciosmanoglu, e ka cilësuar situatën si një “krizë morale në futbollin turk”.

