Arrestohet 38-vjeçari nga Kosova, që kishte fletarrest ndërkombëtar, tentoi të hynte në Shqipëri…
Tentoi të hynte në Shqipëri, ndërkohë që ishte në kërkim ndërkombëtar, i dënuar në RMV, me 6 vjet burgim, për trafikim të narkotikëve, arrestohet me qëllim ekstradimin, 38-vjeçari nga Kosova.
Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve me Interpol Tiranën, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Maqedonisë së Veriut, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht Burim Bajrami, 38 vjeç, banues në Gjilan.
Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 38-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Gostivarit e kishte dënuar me 6 vjet burgim, për trafikim të narkotikëve. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur rreth 1 vit e gjysmë burgim.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Maqedoninë e Veriut, vijon procedurat për ekstradimin e 38-vjeçarit./IO