Njëri ndër personat më të kërkuar në Turqi për vrasje dhe trafik droge, Baris Nakipoglu, është arrestuar të shtunën në territorin e Kosovës.
Njësitet elite të Policisë së Kosovës e ndaluan atë në autostradën “Ibrahim Rugova” afër Prizrenit.
Nakipoglu ishte fshehur në Kosovë prej vitesh duke ndërruar identitet e ku kishte arritur të pajisej edhe me dokumente të Republikës së Kosovës.
IndeksOnline ka siguruar kopje të pasaportës dhe letërnjoftimit të Nakipoglu që në dokumente të Kosovës ka emrin Irfan Zeman.
“Irfanit”, që në dokumente të Kosovës i shkruan vendlindja Vitomericë, nuk i kishte mjaftuar qëndrimi në Kosovë, ai me dokumente të Republikës së Kosovës kishte udhëtuar drejt Malit të Zi në datat 16 maj 2019 dhe 29 maj 2019.
Turku i shumëkërkuar ishte pajisur me dokumente të Kosovës me 07 maj 2019 ndërsa data e skadimit të letërnjoftimit dhe pasaportës së tij ishte 06.05.2029.
Ende nuk dihet se si është pajisur me dokumente të Kosovës njëri nga personat më të kërkuar në Turqi por për këtë sigurisht se do të nisin hetimet nga autoritetet vendore.
44-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli ndërsa kërkohej prej vitesh në gjithë botën.
Policia e Kosovës kishte marrë informacione përmes kanaleve të saj ku ka arritur ta identifikojë, përcjellë e më pas ta prangosë atë afër Prizrenit.
Për arrestimin e këtij personi kishte raportuar ekskluzivisht IndeksOnline të shtunën pasdite. Ndërsa të nesërmen policia kishte njoftuar shkurtimisht rreth këtij rasti.
“Arrestim i personit me urdhër arrest ndërkombëtar: Autostrada “Ibrahim Rugova” (NN) 03.07.2021 – 12:45. Në bazë të urdhëresës ndërkombëtare, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje i kërkuari mashkull shtetas i huaj”, thuhej shkurt në raportin e Policisë.
Turku do të qëndrojë prapa grilave në Kosovë derisa të përmbushën të gjitha procedurat për ekstradimin e tij./IndeksOnline/