15-03-2025

Arrestohet i riu në autostradë afër Suharekës, i gjendet 4 granata dore në veturën e aksidentuar

Një aksident trafiku në autostradën “Ibrahim Rugova” ka çuar në zbulimin dhe sekuestrimin e katër mjeteve të dyshuara shpërthyese.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se Policia ka dalë në autostradën “Ibrahim Rugova” pas informacionit për një aksident trafiku, mirëpo gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes është vënë re prania e katër mjeteve të dyshimta, të cilat dyshohet se janë granata dore.

Menjëherë pas konstatimit, në vendngjarje kanë dalë njësitet e Stacionit Policor të Suharekës, prokurori i shtetit dhe njësia EOD pranë Policisë së Kosovës, të cilët kanë sekuestruar mjetet e dyshuara shpërthyese.

I dyshuari (rreth 24-vjeç) është arrestuar nga Policia dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, automjeti është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë për t’u marrë në pyetje lidhur me rastin.

Asnjë koment

Comments are closed.