Arrestohet në Prishtinë një person i kërkuar nga INTERPOL-i
Është arrestuar një person shtetas i huaj, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga INTERPOL-i për trafikim të narkotikëve.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi është realizuar sot, më 27 janar 2026, nga zyrtarët policorë të Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor – ILECU, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Stacionin Policor Jugu në Prishtinë.
I dyshuari ishte i kërkuar në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet kompetente të Gjermanisë, për veprën penale “Trafikimi i drogave narkotike në mënyrë të përsëritur dhe fitimprurëse”, e sanksionuar sipas legjislacionit penal gjerman.

Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, personi i arrestuar është dërguar në ndalim policor për 48 orë, me qëllim të vazhdimit të procedurave të mëtejme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në luftimin e krimit të organizuar dhe veprave të rënda penale.
