Policia ka arrestuar në Prizren një nga personat më të kërkuar nga drejtësia kosovare, Ambroz Perlazerin, i dyshuar për vrasjen e rëndë të Hekuran Morinës, ngjarje që kishte ndodhur në vitin 2015.
Sipas informacioneve nga burime të afërta me hetimin, Perlazeri kishte qenë në arrati që nga koha e kryerjes së krimit, duke i shmangur për vite me radhë organeve të rendit dhe drejtësisë, njoftoi Sinjali.
Ndaj tij kanë qenë aktive tri urdhër-arreste, të lëshuara nga autoritetet kompetente, për shkak të dyshimeve për përfshirje në rastin e vrasjes së rëndë.
Me 7 shtator 2015, rreth orës 20:30, ishte vrarë Hekuran Morina dhe plagosur i vëllai i tij Fadili, në lagjen “Bazhdërhane” të Prizrenit.
Me 2018, Bernard Përlazeri, i cili akuzohej për vrasjen e Hekuran Morinës, është dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit, me dënim unik prej 22 vjetësh burgim efektiv. Sipas aktakuzës, ai pasi ka përcjellë lëvizjet e të ndjerit Hekuran dhe vëllait të tij Fadil Morina, së bashku me nipat e tij të cilët u arratisen, ka kryer veprën, përcjell Gazeta e Prizrenit.
I dyshuari pritet të dërgohet para organeve të drejtësisë për procedurat e mëtejshme, ndërsa rasti i vrasjes së vitit 2014 mbetet ndër ngjarjet e rënda kriminale që kishin mbetur pa epilog për vite të tëra./ Gazeta Sinjali


Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

