Arrestohet në Prizren zyrtari i Autoritetit Pyjor pas prerjes së lisave në Parkun e Qytetit
Policia pak më parë raportoi për arrestimin e zyrtarit përgjegjës të Autoriteti Pyjor në Komunën e Prizrenit, i cili dyshohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Gazeta Sinjali mëson se bëhet fjalë për Izet Osmanajn, i cili dyshohet se ka mundësuar prerjen e 60 metrave kub dru, të cilat iu dhanë një kompanie private.
Ai dyshohet se ka vepruar në kundërshtim me kërkesën e Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Prizren, e cila kishte kërkuar që drunjtë të dërgohen në hapësirat e Shërbimit të Pylltarisë.
Edhe një sasi tjetër e drunjëve ishte në proces të prerjes dhe bartjes dhe pritej të dërgoheshin te kjo kompani private.
Andaj, sipas Policisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se personi i dyshuar ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar’, nga Neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori ka urdhëruar që Osmanaj të ndalohet për 48 orë, ndërsa sasia e drunjëve të sekuestrohet.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.