Arrestohet në Vërmicë i dyshuari se tentoi të fuste municion nga Shqipëria në Kosovë
Policia e Kosovës (PK) njofton se është arrestuar E.M (37-vjeç), nën dyshimin se po tentonte të fuste municion nga Shqipëria në Kosovë.
Në njoftimin e Policisë, thuhet se i dyshuari është arrestuar mëngjesin e sotëm, në Vërmicë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Sot, më datë 28.09.2023 rreth orës 10:45, në hyrje të Republikës së Kosovës nga Republika e Shqipërisë, në Vërmicë, është ndaluar automjeti ‘golf’ me targa vendore me drejtues E.M., (1986) m/k”, thuhet në njoftim.
“Në total janë konfiskuar: 577 (pesëqind e shtatëdhjetë e shtatë) fishekë të kalibrit 7.62 mm, 375 (treqind e shtatëdhjetë e pesë ) euro, 1 telefon mobil, 1 automjet VW”, thuhet në njoftim.
Policia bën të ditur se është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prizren, ku me urdhër të tij është iniciuar rasti ‘Blerje, shpërndarje, furnizim apo shitje e paautorizuar e armëve dhe municionit’ dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.