Arrestohet prizrenasi, Antidroga i gjen bunker me 10 kilogramë drogë në lokal
Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Prizren, nën asistim të një patrulle policore, ka ndaluar dje automjetin Citroën C3, ngjyrë hiri, që vozitej nga një person i dyshuar mashkull.
Gjatë kontrollit në automjetin e tij është gjetur një qese plastike e mbushur me substancë të dyshuar të llojit marihuanë.
Në asistim të operatorëve të Njësisë për Reagim të Shpejtë (NJRSH) dhe Forenzikës Rajonale të Prizrenit ka filluar kontrolli në lokalin e të dyshuarit në Prizren.
“Gjatë kontrollit në lokal nën shkallët e lokalit është gjetë një bunker i kamufluar (modifikuar) mirë ku vërehej një derë e vogël që në prizëm (të rrymës elektrike) kishte vendin për qelës. Me anë të qelësit që e kishte i dyshuari është hap ajo derë dhe brenda saj janë gjetë dhe sekuestruar tetë (8) qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit Marihuanë” thuhet në komunikatën e policisë.
Përveç lokalit në fjalë është kontrolluar edhe shtëpia e të dyshuarit, ku po ashtu është gjetur një qese e vogël me substancë narkotike, e dyshuar si marihuanë.
Sipas policisë, në këtë operacion të bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale dëshmitë si në vijim:
Nëntë (9) qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 10038.08 gram.
Një shumë e konsiderueshme e qeseve plastike të zbrazëta,
Një veturë modeli Citroen C3 ngjyr hiri me targa vendore,
Një palë qelësa për hapjen e lokalit,
Një qelës për hapjen e bunkerit,
Një telefon mobil.
I dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.