Arrestohet zyrtari i Agjencisë Pyjore të Kosovës në Prizren
Në njoftim thuhet se ky arrestim është rezultat i masave të veçanta hetimore, të cilat Prokuroria Themelore në Prizren i ka aplikuar për një periudhë të caktuar kohore, duke siguruar prova të fuqishme dhe dëshmi të pakontestueshme.
Nga hetimet dhe provat e grumbulluara është zbuluar se i dyshuari, duke keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, ka tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit personal, duke pranuar para nga qytetarë të ndryshëm dhe duke u premtuar ndërmjetësimin për rregullimin e dokumentacionit të nevojshëm për marrjen me qira të pronave nga Agjencia Pyjore e Kosovës.
Lexo edhe:
“Urime Kryetar e PDK, e paskeni knaq…”- Familja Fusha i reagon me ironi Shaqir Totajt
Aktualisht, i dyshuari ndodhet në ndalim 48 orësh, me dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Brenda ditës së sotme, Prokuroria do të parashtrojë në Gjykatë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
“Prokuroria Themelore në Prizren thekson se ky rast është shembull i qartë i efektivitetit të masave të veçanta hetimore dhe i vendosmërisë sonë në goditjen e korrupsionit. Prokuroria mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të çdo individi që abuzon me funksionin publik dhe bie ndesh me ligjin”, thuhet tutje në njoftim./KK