24-11-2024

Artan Abrashi, vazhdon të jetë ndër politikanët me më së paku pasuri

Artan Abrashi, kryesues i Kuvendit Komunal të Prizrenit, vazhdon të llogaritet në mesin e politikanëve, që kanë më pak pasuri, e të cilët janë pjesë e institucioneve lokale të Prizrenit.

Derisa disa nga anëtarët e KK-së, që tashmë kanë në pronësinë  e tyre vetura, shtëpi e troje, në vlerë deri në 1 milion euro, Abrashi në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK)  ka deklaruar vetëm shtëpinë e përbashkët familjare, në vlerë prej 90 mijë euro.

Krahasuar me vitin e kaluar, kur kishte deklaruar vetëm 300 euro, ai sivjet ka edhe më pak para kesh. Ai tash ka deklaruar vetëm 200 euro, derisa 400 në emër të bashkëshortes, e 300 të tjera në emër të prindit, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Në formularin më të ri të AKK-së, sikurse edhe në vitin e kaluar, të deklaruara nuk figurojnë  troje, vetura, kursime apo edhe obligime financiare ndaj askujt.

Abrashi, që në funksionin e kryetarit të KK-së është zgjedhur me 15 janar të vitit të kaluar, po ashtu është edhe kryetar i Qendrës së Vetëvendosjes në Prizren.

Për dallim nga viti i kaluar, kur paga mujore e kryesuesit ishte 550 euro, tashmë ai ka deklaruar se merr 635 euro.

Në rastin e Abrashit, shtrohet pyetja, se a duhet në Kosovë të ketë sa më shumë politikanë të tillë, që jetojnë në nivelin e standardit të popullit,  kur dihet se një pjesë e madhe e tyre kanë shfrytëzuar politikën për t’u pasuruar, aq sa edhe vetë nuk e kanë besuar.

Aq, më keq një numër i konsiderueshëm i tyre nuk e kanë të deklaruar pasurinë reale, pasi flitet se ata kanë banesa e prona në Shqipëri e gjetiu, si dhe troje e toka në Kosovë, të cilat për t’i humbur gjurmët i kanë në emra të familjarëve, miqve apo të “sekserëve” të tyre.

Abrashi ndërkaq ka të deklaruara edhe të ardhurat mujore të bashkëshortes, në vlerë prej 850 euro, nga një burim legal.

Ndonëse ende në fillim të punës, mbetet të shihet nëse pasuria e Abrashit do të shtohet gradualisht, nga puna e tij në mënyrë të natyrshme e legale apo do të rritet sikur në rastet e politikanëve të tjerë, të cilët pas disa vjetësh në pushtet kanë përfunduar si milioner, ndonëse me rroga kosovare. /GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.