Asamblistja Jakupi: Katër klasë në “Motrat Qiriazi” 5 muaj pa mësues të shqipes
Asamblistja e Kuvendit të Komunës (KK) së Prizrenit, nga radhët e LDK-së, Sadije Osaj-Jakupi, ka deklaruar se ka pesë muaj që nxënësit e katër klasave të IX, në shkollën “Motrat Qiriazi” po humbin orët e mësimit të gjuhës shqipe.
Për këtë rast ajo gjatë mbledhjes së KK-së, kërkoi sqarime nga Drejtoria Komunale e Arsimit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”
Jakupi tha më tej se sipas kësaj logjike, del se nxënësit duhet të mësojnë vetëm anglisht e gjermanisht, pasi ata po ikin nga Kosova dhe do të shkojnë për të punuar atje.
Humbjen e këtyre orëve ndërkaq e mohoi drejtori për Arsim në Prizren, Skënder Susuri, i cili tha se për këtë nuk ka ndonjë njoftim nga drejtori i shkollës, që ka përgjegjësi ta bëjë këtë.
Kësaj përgjigjeje i është kundërvënë asamblistja, duke thënë se ky është fakt pasi vetë është prind, meqenëse djali i saj është pikërisht në njërën nga këto klasë.
Pos gjuhës shqipe mësimi në këtë shkollë zhvillohet edhe turqisht dhe në gjuhën boshnjake./GazetaePrizrenit.net