Asgjësohen mbi 2.000 kilogramë mish pule të importuara për shkak të Salmonellës
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Republikës së Kosovës (AUV) ka njoftuar opinionin publik se gjatë kontrollit të një ngarkese të produktit MDM pule, të importuar nga Polonia nga prodhuesi CEDROB S.A., Ubojnia Drobiu Ujazdówek, dhe i importuar nga kompania KAJMAK SHPK, Prizren, është konstatuar prania e bakterit Salmonella spp.
Sipas njoftimit të AUV-së, pas pranimit të njoftimit nga RASFF dhe me kërkesë të kompanisë KAJMAK SHPK, përmes inspektimeve të realizuara nga AUV, është vërtetuar prania e salmonelës në sasinë prej 2,064 kilogramë mish pule.
“Pas konstatimit të këtij rasti, sasia e importuar është asgjësuar në përputhje me procedurat ligjore në fuqi dhe standardet e sigurisë ushqimore”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, AUV thekson se vazhdon të monitorojë situatën me kujdes të shtuar dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe me bizneset që merren me importin e mishit, me qëllim të identifikimit dhe parandalimit të rasteve të ngjashme, për të siguruar ushqim të sigurt dhe në përputhje me standardet evropiane.

