Asnjëri nga drejtorët komunal në qeverisjen lokale të PDK-së, të udhëhequr nga Shaqir Totaj nuk është kandiduar për deputet në zgjedhjet parlamentare, të shkurtit, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Për dallim nga herët tjera, kur prioritet në përzgjedhjen e kandidatëve në komunat që mbanin pushtetin nga PDK, kishin anëtarët e ekzekutivit, të cilët edhe gëzonin respekt, kjo nuk ka ndodhur sivjet.
Ndonëse, Totaj shpesh është krekosur me ta ( përkundër deklarimeve sa ishte në opozitë, për çka edhe posedon dëshmi “Gazeta e Prizrenit” ), asnjëri prej anëtarëve të ekzekutivit nuk është përfshirë në listë, si një mundësi e sigurt për të fituar vota, të cilat janë shumë domethënëse, sidomos tash kur PDK ka edhe qeverisjen lokale në Prizren, që përbën qytetin më të madh të vendit, ku e mban pushtetin lokal.
Për ta siguruar një ulëse në Parlament, kërkohet një numër i madh i votave, por kjo varet nga pjesëmarrja në votime. Si dihet kuota është më e lartë është për meshkuj dhe me gjasë minimum duhet siguruar mbi 9.000 vota. Nga 5 sa ishte kësaj radhe mund të votohen deri në 10 kandidatë të një partie.
PDK ka kandiduar nëntë anëtarë nga Prizreni, tri prej të cilëve femra, por në mesin e tyre nuk ndodhet asnjëri nga emrat e drejtorëve, ndërsa janë nënkryetari i Komunës, Kujtim Gashi e kryesuesja e Kuvendit Komunal, Antigona Bytyqi.
Pos deputetit Nait Hasani, në listë janë edhe disa kandidatë të mëparshëm si Gresa Baraliu – Halili. Për herë të parë ndërkaq kësaj gare i kanë hyrë , Xhemshit Krasniqi, Faruk Bojaxhiu, Drita Qenaj, Patriot Krasniqi dhe Fetah Paçarizi. / Gazeta e Prizrenit /