Athua ishte i drejtë vendimi për anulimin e aktiviteteve të fundvitit në Prizren e Prishtinë?!- pyesin të revoltuar prizrenasit
Edhe pse javë me radhë gjatë dhjetorit “N’Shesh’’ në Prishtinë, Prizren e qytete të tjera kishte aktivitete kulturore festive të fundvitit ku performanca “live” përfundonte në orën 21.30, kurse mysafir “N’Shesh” kishte deri në orën 23.00, pak orë para fillimit u anulua performanca e natës së Viti të Ri (thuhet për shkak të pandemisë) e cila ishte planifikuar dhe e organizuar të jetë pjesë e programit artistik festiv jashtë ’ N’Shesh,’’ si në Prishtinë ashtu edhe në Prizren.
Të nesërmen në këto dy qendra, si dhe në qytetet tjera, lokalet ishin plot me qindra mysafirë brenda në hapësirë të kufizuar, ku distanca mes njerëzve është shumë më e vogël se sa “N’Shesh”, shkruan portali “qendrapress.com”
Sipas këtij mediumi, derisa shtetet e rajonit për natën e Vitit të Ri tërësisht kishin larguar masat anti-Covid duke u mundësuar qytetareve të festojnë nëpër sheshe, si në Tiranë, Shkup dhe qytete të tjera ku kishte dhe performancë live.
Në rastin e koncertit në Prizren, organizatorët kanë pohuar se ishte planifikuar një organizim konform masave anti-Covid, por që ka pasur kërkesa nga të rinjtë për të organizuar ndonjë aktivitet muzikor për ta zbehur sadopak gjendjen e rëndë pandemike, që pothuajse më së shumti ka goditur grupmoshat e reja. Siç dihet, shkaku i situatës, janë ndaluar shumë aktivitete shkollore e kulturore, përfshirë edhe mbrëmjen e maturës, ndërsa në të shumtën ata kanë ndjekur mësimet me reduktime në shkollë. Pra, ata kanë bërë një shkollim e studim jo të zakonshëm.
Për shkak të krizës nga Covid-i një gjeneratë e tërë u ndesh me një të ardhme të pasigurt. Sipas studiuesve kjo ka shkaktuar edhe stres dhe depresion, pasi janë kufizuar lëvizjet dhe aktivitetet e shumta sportive të të rinjve, të cilët janë mosha që vlon. Sipas organizatorit, koncerti që përmbante muzikë ‘rok’, kishte për qëllim pikërisht, krijimin e një atmosfere më festive, për ta harruar sadopak në momentet e ndërrimit të moteve, gjendjen e zymtë të imponuar nga epidemia.
Po ashtu, referuar raportimeve nga organet zyrtare të vendit, është marrë parasysh se pjesa dërmuese e të rinjve pjesëmarrës potencial tashmë janë të vaksinuar, madje me dy dozat, si dhe këto grup-mosha janë më rezistente ndaj infektimit.
Në këtë rast, sipas tyre, kjo në asnjë mënyrë nuk do të nënkuptonte shpërfilljen e masave. Aq më tepër kur dihet se perfomanca do të bëhej në mjedis të hapur dhe në një hapësirë të gjerë, siç ishte Sheshi “Shatërvan”, dhe që për shkak të Vitit të Ri, parashihej që të rinjtë dhe qytetarët tjerë, të mos qëndronin vazhdimisht të njëjtit, duke lëvizur nga shtëpia në qendër.
Edhe prania e organeve të rendit do ta disiplinonte më shumë situatën tek pjesëmarrësit, për respektimin e masave të parapara. Një fakt tjetër, që çoi në organizmin e këtij aktiviteti ishte edhe numri i vogël i rasteve të raportuara me Covid.
Megjithatë “qendrapress” shtron pyetjen për dilemën se në Kosovë për çfarë arsye po ndodhin veprime të tilla, nga kush vijnë urdhrat dhe me çfarë qëllimi?! Vlerësojeni vet!