Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dërguar tek Prokurori i Shtetit gjithsej 69 çështje të evidentuara në 103 raporte të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë për sezonin 2024/2025.
Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, tha se këto çështje lidhen kryesisht me dyshime për shkelje dhe parregullsi në prokurimin publik, subvencione dhe transfere, investime kapitale, si dhe paga dhe mëditje.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, prezantoi rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2024, duke bërë të ditur se buxheti i shtetit është mbyllur me suficit, por me sfida serioze në zbatimin e projekteve kapitale.
Ajo ka përmendur edhe Komunën e Prizrenit për një sërë mangësish, por edhe atë të Gjilanit.
“Auditimi i kryer në Komunën e Prizrenit ka nxjerrë një sërë mangësish, si: mosrespektimi i afateve ligjore nga ofertuesit dhe mosveprimi i komunës për ekzekutimin e sigurimit të ofertës. Vendimet e Kuvendit Komunal për dhënien e pronave pa vlerësimin e ligjshmërisë nga MAPL dhe devijimi nga qëllimi i investimit. Bëhet fjalë për pronën e dhënë me qira në Tregun ‘Bajram Curri’ në Prizren për të cilin MAPL ka konstatuar se vendimi për qiradhënie nuk është në përputhje me dispozitat ligjore duke theksuar anashkalimin e përfitimit ekonomik dhe interesit publik. Për më tepër, pavarësisht qëllimit të dhënies me qira, ZKA ka vërejtur se përfituesi i pronës ka ndërtuar lokale afariste të ndryshme e jo një objekt për ruajtjen dhe konservimin e produkteve bujqësore siç ishte paraparë në kontratë. Dhënia me qira e pronës palëve të treta pa aprovimin e Kuvendit Komunal. Kjo është identifikuar në 8 raste. Menaxhimi jo i mirë i kontratave, mungesa e mbikëqyrjes dhe përdorimi i pronave nga palë të treta pa aprovime kanë cenuar integritetin dhe legjitimitetin e menaxhimit të pasurisë komunale. Informimi i pamjaftueshëm i Kuvendit Komunal mbi kontratat dhe gjendjen e pronave kufizon vendimmarrjen efektive, duke reflektuar menaxhim të dobët, ulë transparencën dhe rrit rrezikun e keqmenaxhimit të aseteve komunale.”, tha ajo./Ekonomia Online