Autostrada “Bienale” do të mbajë konferencën “Revolucioni Jemi Ne – La Rivoluzione Siamo Noi”
Më 14 dhjetor në Prishtinë e më 15 dhjetor në Prizren, Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor “Autostrada Biennale” organizon konferencën ndërkombëtare “Revolucioni Jemi Ne – La Rivoluzione Siamo Noi”.
Pas publikimit të konceptit dhe temës së edicionit të dytë “Revolucioni Jemi Ne – La Rivoluzione Siamo Noi”, ekipi i bienales dhe kuratori Giacinto Di Pietrantonio kanë filluar pregaditjet për konferencën e cila do të mbledhë artistë, kuratorë dhe përfaqësues të institucioneve kulturore dhe politike në panele që kane për qëllim të adresojnë çështje kulturore nëpërmjet perspektivës së artit, politikës dhe ekonomisë.
Përmes kësaj konference Autostrada Biennale synon konsolidimin e partneriteteve mes institucioneve publike dhe private të artit, artistëve dhe grupeve joformale, nëpërmjet rrjetëzimit dhe shkëmbimit të përvojave dhe ideve – me qëllim të përbashkët, nxitjen e krijimit të mundësive të reja për zgjerimin dhe ringjalljen e komunitetit artistik në vend dhe rajon.
Në konferencë ekipi i Autostrada Biennale do ta publikoje librin e saj të parë të quajtur “Autostrada Biennale: Libri i Përbashkët”, i cili synon ta promovojë bienalen në mbarë botën duke mbajtur prezantime dhe biseda në ngjarje të ndryshme kulturore.
Në prezantim do të shpaloset ideja e themelimit të Autostrada Biennale dhe aktivitetet e realizuara gjatë rrugëtimit të përbashkët.
I gjithë diskutimi mbi librin do të fokusohet në tregimin se si bienalja e ka bërë qytetin dhe qytetarin pjesë tejet të rëndësishme të organizimeve të saj, duke i përfshirë ata, pavarësisht përkatësisë nacionale, fetare dhe kulturore, dhe se si ky ka qenë edhe vetë qëllimi i këtij organizimi, thyerja dhe zhdukja e kufijve, si dhe gjithçka që konsiderohet të jetë tabu në shoqërinë tonë.
Gjithashtu do të diskutohet se si bienalja ka arritur së bashku me qytetarët dhe partnerët strategjik te krijoj hapësira të reja ekspozimi, edukimi joformal, diskutimi dhe hapësira të reja reflektimi, duke stimuluar në këtë mënyrë lirinë e shprehjes, këmbimin kulturor, mendimin kritik dhe ruajtjen e tolerancës ndërkulturore e ndëretnike, me qëllim të promovimit të mendimit demokratik, të ruajtjes së mjedisit dhe të vlerësimit të trashëgimisë kulturore.