Avokatët mbrojtës kundërshtojnë propozimin për pezullimin e pagesave për “veteranët e rrejshëm”
Avokatët mbrojtës të akuzuarve po kundërshtojnë propozimin që të pezullohet pagesa për veteranët që Prokuroria Speciale i cilëson se kanë fituar këtë status jashtëligjshëm, raporton Koha Ditore.
Në një elaborim të gjatë para gjykatës avokati Ramë Gashi, që në këtë rast e përfaqëson të akuzuarin Agim Çeku, ka paraqitur kundërshtimin e tij.
Sipas tij kjo kërkesë është e jashtëligjshme me faktin që vjen nga Prokuroria Speciale. Kjo pasi që sipas Gashit një kërkesë e tillë do të duhej të vinte nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për shkak që nëse ka dëme financiare ajo është palë e dëmtuar e jo Prokuroria e Shtetit.
Argumenti i dytë i Gashit është që 19 mijë e 500 veteranet të cilëve po kërkohet t’iu pezullohet pagesa nuk janë persona të dënuar e as nuk ka informata që të njëjtit janë duke u hetuar, pasi që pjesë e aktakuzës si të akuzuar janë anëtarët e komisionit e jo përfituesit.
Vendimi i gjykatës për masën e përkohshme për pezullimin e pensioneve do të vendoset jashtë seancës.
Vendimi do të jetë me shkrim dhe do t’u shpërndahet palëve.