Avokati Berisha: Herët të flitet për fajësi, zyrtarët policor kanë kryer punën e tyre – ata nuk janë kardiolog
Ka përfunduar seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore, dega në Lipjan, ndaj pesë zyrtarëve policorë që janë arrestuar lidhur me vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, që ndodhi në natën mes 6 dhe 7 korrikut në këtë qytet.
Seanca u mbajt me dyer të mbyllura për media, ndërsa mbrojtja e të dyshuarve është deklaruar para gazetarëve pas përfundimit të saj.
Avokati Besnik Berisha, i cili mbron njërin prej të arrestuarve – Endrit Beqirin, tha se është ende herët për të folur për fajësi apo pafajësi, duke theksuar se veprimet e të ndjerit, sipas tij, kanë qenë të dhunshme.
“Është herët të flasim për fajësi apo pafajësi, por ajo që dihet dhe duhet të thuhet tashmë, janë që veprimet e të ndjerit kanë qenë të dhunshme dhe me forcë të përdorur ndaj qytetarëve. Ka pasur denoncues vet prokurorë e gjyqtarë. I pari që e ka telefonuar për ndihmë Policinë ka qenë prokurori. Nëse Prokuroria nuk i beson prokurorit atëherë kemi rënë nga sistemi, s’kemi problem me individ”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka theksuar se ekziston dyshimi se sjellja e të ndjerit ka qenë e ndikuar nga substanca të caktuara.
“Zyrtarët policor kanë kryer punën e tyre, ata nuk janë as kardiologë, neurologë, pulmologë. Nuk janë dhe s’mund ta zëvendësojnë doktorin. Unë besoj fuqishëm që s’do të jetë asfiksia si shkak (i vdekjes), por edhe nëse jetë, duhet ta dimë se a është e shoqëruar apo jo me ndonjë gjakderdhje paraprake, është e ndikuar nga ndonjë substancë, anomali, problem me arteriet kardiake dhe jo vetëm. Doktorresha del sikur me ftu dikush për kafe”, ka shtuar ai.