Avokati Brahaj: A do t’i ndjekë Prokuroria e Prizrenit edhe “porositësit” e falsifikimit të votave
Sipas Brahajt, nisma e Prokurorisë së Prizrenit për hetimin e kriminalitetit zgjedhor është për t’u përshëndetur, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm dhe të rrallë në Kosovë në luftën kundër manipulimit të votës.
“Pra, kushdo që shton, heq apo regjistron votat në mënyrë të pasaktë dhe manipulon rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore, dënohet prej 3 deri në 5 vjet burgim”, thekson Brahaj, duke iu referuar legjislacionit penal në fuqi.
Megjithatë, ai shpreh skepticizëm lidhur me kohëzgjatjen e shkurtër të hetimeve nga ana e Policisë dhe Prokurorisë, duke vënë në pikëpyetje mundësinë që pretendimet për falsifikim të rezultateve të votimit të vërtetohen me aktgjykime të formës së prerë për shumicën e të dyshuarve.
Një tjetër pikë kritike e reagimit të Brahajt lidhet me përgjegjësinë penale të ashtuquajturve “porositës” të falsifikimit të votave.
“Do të shihet nëse Prokuroria e Prizrenit ka forcë të ndjekë edhe porositësit e këtyre veprave penale, të cilët dyshohet se kanë urdhëruar apo paguar kryerjen e tyre, kur dihet se shumica janë persona me ndikim të madh në subjektet politike që përfaqësojnë”, shkruan ai.

Sipas tij, ligji penal i konsideron këta persona si bashkëpunëtorë të veprës penale dhe ata duhet të dënohen njësoj si ekzekutuesit, pasi kanë krijuar vullnetin për kryerjen e saj.
Në fund, avokati paralajmëron se nëse procesi dështon dhe të dyshuarit nuk dënohen, rasti rrezikon të mbetet vetëm një spektakël mediatik.
![]()
“Nëse kryerësit e pretenduar të veprave penale nuk arrijnë të dënohen, atëherë ky rast do të mbahet mend si një dështim i prokurorisë dhe thjesht një show medial”, përfundon Brahaj. / KN
