Avokati i Kadri Veselit e quan Prokurorinë Speciale të pandershme
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, është përplasur me Prokurorinë Speciale në lidhje me nxjerrjen e sasisë së saktë të materialeve para 27 shtatorit – kur është edhe afati i fundit, ndërkohë që e ka quajtur atë të pandershme dhe joprofesionale.
“Nxjerrja e materialeve është bërë në vazhdimësi sikurse u shpjegua në konferencën e fundit, kishte shumë faktorë në kohën e nxjerrjes së atyre materialeve, në bazë të kërkesës për nën-kategorizim u desh që disa materiale që u nxorën të kontrollohen. Për fat të keq nuk mund të jem e saktë, sepse nuk kemi marrë materiale për ato që kemi kërkuar por s’e dimë sasinë e materialeve. Pjesa më e madhe e stafit punojnë nga distanca shkaku i pandemisë dhe s’kanë qasje në databazat e provave”, ka thënë prokurorja e Prokurorisë Speciale.
Pas kësaj, avokati Emmerson e ka quajtur Prokurorinë Speciale të pandershme dhe joprofesionale.
“Ky është një shembull tjetër se si sillet Prokuroria. Unë kërkova të më kërkojnë falje për atë se si e kanë përfaqësuar çështjen e tyre por këtë nuk e mora. Të gjithë që na shikojnë, e shohin se nuk ka asgjë konstante për punën e Prokurorisë, sikur të ishte ashtu do të ishim të gatshëm për gjyq. Kemi materiale që nuk e dimë sasinë e saktë, dhe ata e dinë se nuk mund të nxjerrin para afatit të paraparë. Ky material duhet të përkthehet në anglisht, sepse Prokuroria s’flet shqip, por ky është nivel i joprofesionalizmit për këtë Prokurori të pandershme. Kemi të bëjmë me një prokurori që s’ka kredibilitet në aspektin e parashikimeve për fillimin e gjykimit”, ka thënë Emmerson.
Pas fjalës së avokatit të Veselit, ka reaguar gjyqtari Nicolas Guillou duke ia tërhequr atij vërejtjen.
“Ju lutem mos ju drejtoni ashtu Prokurores, sepse s’është e rrugës të veproni kështu”, tha ai.
Emmerson më herët tha se Prokuroria duhet të kërkojë fajle që të akuzuarit vazhojnë të mbesin në paraburgim.
“Prokuroria e ka ditur gjatë gjithë këtyre seancave se 70 për qind e materialeve nuk janë bërë të njohura, na gënjyen të gjithëve, nuk ka parë njeri të sillet sikur kjo të ishte diçka normale, është jonormale që një prokuror i përgjegjshëm të sillet në këtë mënyrë”, është shprehur Emmerson.