24-11-2024

Avokati i Popullit ka pranuar mbi 50 ankesa kundër Ligjit të ri të pagave

Për Ligji i ri Pagave ka pakënaqësi në sektorin publik. Në Institucionin e Avokatit të Popullit thonë se kanë pranuar ankesa të shumta. Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën zëdhënësi i këtij institucioni, Petrit Qollaku. Ai thotë se ankesat janë të pranueshme dhe se janë duke e analizuar  ligjin dhe brenda afatit ligjor, që është brenda gjashtë (6) muajve, do të dalin me një qëndrim lidhur me këtë çështje. Qollaku tutje tha se QKUK-ja prin me ankesa lidhur me Ligjin e ri të Pagave.

“Prej QKUK-së janë disa ankesa nga sektori i inxhinierëve që punojnë brenda në spital. Pastaj kemi ankesë nga stomatologët, nga ekipi për kontroll dhe parandalim të infeksioneve spitalore, pastaj ankesë nga Shoqata e instrumentaleve dhe grupi i fizioterapeutëve ku të gjithë këta kanë ankesa lidhur me koeficientin për ulje të pagave”, ka thënë Qollaku.

Që ka pakënaqësi për Ligjin e ri të Pagave e konfirmojnë edhe nga zyra për informim e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës. Në një përgjigje për Radio Kosovën, nga kjo zyre kanë thënë se kanë krijuar një komision të brendshëm i cili është duke analizuar koeficientet për secilën pozitë.

“Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, ju konfirmon se për shkak të pakënaqësive të shfaqura dhe kategorizimeve që janë bërë bazuar në Ligjin e ri për Paga, ka formuar një komision të brendshëm e i cili është duke analizuar koeficientet për secilën pozitë. Të gjitha pakënaqësitë e bazuara do të shprehen me shkrim dhe do të dërgohen në Ministrinë e Punëve të Brendshme’, thuhet në reagimin e SHSKUK-së.

Pakënaqësi me Ligjin e ri te Pagave kanë shprehur edhe mjekët lidhur me pagesën e  kujdestarive. Oda e Mjekëve të Kosovës e vlerëson se  mos definimi i qartë i pagesës së kujdestarive do të ndikojë drejtpërsëdrejti në salla operative. Në këtë rast sipas tyre, nëse kujdestaritë e mjekëve do t’u kompensohen atyre me ditë pushimi, kjo do të bëjë që të dështojnë shumë programe operative.

Asnjë koment

Comments are closed.