Avokati Rogova: Isuf Gashi u ftua si i akuzuar, por u intervistua si dëshmitar
Isuf Gashi, 73 vjeçar, ish-pjesëtar i UÇK sot është intervistuar nga Prokuroria Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së në fshatin Drenoc të Rahovecit.
Në Interaktiv të KTV-së, Rogova ka bërë të ditur se Gashi ishte i akuzuar për krime lufte edhe në vitin 2006 megjithatë aktakuza ishte tërhequr në mungesë të provave.
“Ai ka qenë i akuzuar për krime lufte dhe është aktëgjykuar në vitin 2006 dhe duke mos pasur prova të mjaftueshme se ka bërë krime Prokurori ndërkombëtar kishte tërheq akuzën ndaj tij. Gashi akuzohej për krime lufte në regjionin e Rahovecit, përkatësisht në fshatin Drenoc. Ku pretendohej se ka pasur burg, në të cilin janë burgosur njerëz, kryesisht shqiptarë dhe të cilët janë keqtrajtuar. Ai dhe gjashtë të tjerë janë akuzuar për këtë. Gashi dhe një tjetër janë liruar nga ky rast, kurse katër të tjerët janë dënuar”, ka thënë Rogova.
Rogova ka thënë se është ditur para dy muajsh se Gashi duhet të paraqitet para Prokurorit Special dhe është i dyshuar për krime lufte.
“Ai ftesën e ka marrë se është në cilësinë e të akuzuarit. Mirëpo sot na është thënë se do të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit. Rreth shtatë orë intervista ka zgjatur dhe është pyetur rreth aktiviteteve në luftë. Asgjë konkrete s’ka pasur, Gashi ka bërë një paraqitje dinjitoze. E edhe nesër do të intervistohet”, është shprehur Rogova.
Rogova ka deklaruar se nuk mund t’i thotë të gjitha, por shpreson që Isuf Gashi nuk do të shkojë në Hagë, për çka edhe është i bindur.
“Nuk do të akuzohet. Për arsye se këtë e kuptova në bazë të pyetjeve që i janë bërë, pasi nuk kishte diçka konkrete se ai ka bërë ndonjë krim. Por, ndoshta ishin vetëm për mbledhjen e provave për të akuzuarit e tjerë”, është shprehur ai.
Sipas tij, Gashi sot është trajtuar shumë mirë, në krahasim me herët e tjera kur ishte ftuar për intervistim.
“Kanë qenë dy prokurorë, trajtimi ndaj tij ka qenë korrekt. Ai ka pasur përvoja të këqija nga herët e tjera pasi është lidhur me zinxhirë nga EULEX-i më parë. Por, sot i kanë dhënë pauza sa herë që Gashi ka kërkuar”, ka thënë Rogova.
Rogova më tutje ka deklaruar se Gashi nuk është i përmendur në raportin e Dick Martyt.
“Kemi një raport të Dick Martyt, në atë raport përmenden disa emra e ngjarje. Mund të nxirret konkludimi se në çfarë drejtimi do ta shkojnë hetimet dhe kush do të përgjigjet për krimet e supozuara. Gashi nuk përmendet në raportin e Dick Martyt”, ka thënë Rogova.
Ai më tutje ka deklruar se kjo gjykatë nuk ka pasur nevojë të themelohet.
“Ajo gjykatë është themeluar pasi të gjithë ne kemi nga pak faj. Është dashtë që ne këto procese t’i marrim në dorë. Kemi parë se çfarë ka ndodhur me pjesët e tjera që janë ndarë nga Jugosllavia”, u shpreh ai.
Sipas Rogovës ka pasur krime individuale në kohën e luftës, ndërsa thekson se nuk mund të gjykohet për çështjen e njëjtë dy herë askush.
“Krime individuale ka pasur, por jo nga UÇK-ja. Tash a janë bërë në emër të UÇK-së apo në hakmarrje individuale nuk mund ta themi. Janë formuar njësitë e fshatrave për ta formuar pragun e shtëpive. E më pas kanë ardhur deri në zgjerimin e njësiteve. Personi i cili është përgjegjës për krime nga çfarëdo gjykatë, nuk mund të përsëriten gjykime për të njëjtën rast. Një person nuk mundet me u përgjigj dy herë për çështjen e njëjtë”, u shpreh Rogova.
Ai ka theksuar se aktakuza ishte tërhequr pasi është vërtetuar se Isuf Gashi ka qenë ushtar por s’ka qenë përgjegjës në strukturat udhëheqëse të UÇK-së.
Rogova shton se nesër do të intervistohet sërish Gashi, e pret që aty të përfundojë gjithçka.
“Ai nuk ka qenë në dijeni për burgun në Drenoc dhe nuk ka kryer ato krime. Besoj se nesër do të kryhet intervistimi i klientit tim dhe mendoj se do të zgjasë më shkurt. Besoj që Isuf Gashi duhet ta përfundojë intervistimin këtu dhe Prokurori nuk do të ndërmerr hapa të tjerë që ta akuzojë atë për ndonjë krim të supozuar”, u shpreh Rogova