26-11-2025

Avokati Smakiqi reagon për arrestimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Avni Qenaj: Kërkohet urgjentisht monitorim ndërkombëtar

Avokati, Xhevdet Smakiqi ka reaguar pas arrestimit të ish-pjesëtarit të UÇK-së, Avni Qenaj, i cili u ndalua më 25 nëntor 2025 në territorin e Serbisë

Smakiqi njoftoi se është autorizuar nga familja Qenaj nga Romaja e Hasit/Prizren për të përfaqësuar interesat ligjore të tij brenda dhe jashtë Kosovës.

Ai tha se, bazuar në përvojën e tij si avokat në rastin e Hasan Dakajt, ka nisur menjëherë komunikimet me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd. Smakiqi u shpreh se ka zhvilluar një bisedë të detajuar me shefin e kësaj zyreje, Jetish Jashari, lidhur me rastin Qenaj.

 

 

Sipas tij, Avni Qenaj aktualisht ndodhet në 48 orë ndalim në Qendrën e Ndalimit në Beograd. Afati i ndalimit pritet të skadojë nesër, dhe Prokuroria për Krime Lufte në Beograd mund të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.

“Familja Qenaj dhe secili nga ne jemi nën ankth, për shkak se trajtimi fizik e psikologjik i ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga autoritetet serbe zakonisht mbetet i frikshëm, me shkelje të dinjitetit njerëzor dhe me veprime antihumane. Kërkohet urgjentisht monitorim nga mekanizmat ndërkombëtarë”, deklaroi Smakiqi.

Ai paralajmëroi se në ditët në vijim do të ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar mbrojtje efektive përmes institucioneve të Kosovës, mekanizmave ndërkombëtarë, por edhe avokatëve nga Serbia.

 

 

“Besojmë në pafajësinë e Avni Qenajt dhe shpresojmë që sa më shpejt t’i kthehet familjes, duke gëzuar lirinë e lëvizjes si parim thelbësor i garantuar nga konventat ndërkombëtare dhe nga Traktati i Kopenhagës, ku përfshihet liria e lëvizjes së njerëzve dhe kapitalit”, tha ai.

Smakiqi akuzoi qeverinë e Kosovës për dështim në pesë vitet e fundit për të detyruar Serbinë që të zbatojë marrëveshjet e Brukselit, të ndërmjetësuara nga BE-ja, për garantimin e lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës, përfshirë ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Ai kritikoi edhe thirrjet e institucioneve të Kosovës ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së që të shmangin lëvizjen nëpër territorin serb, duke e quajtur këtë “diskriminim klasik” dhe “dorëzim përballë qasjes arbitrare të shtetit serb”, në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare ku garantuese është Bashkimi Evropian.

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.