23-11-2024

Baldedaj: Në qeverisjen e Haskukës po vërehet ndikimi i Turqisë

Shefi i grupit të këshilltarëve të AAK-së në opozitë, Ilir Baldedaj, ka kritikuar qeverisjen lokale të Prizrenit, të drejtuar nga kryetari Mytaher Haskuka, për siç ka thënë “ndikimin e saj nga Turqia”, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Ai ka deklaruar kështu, një ditë më parë gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prizrenit, që ishte thirrur me kërkesë të opozitës, për të debatuar rreth përgjegjësisë së Kryetarit Haskuka dhe drejtorit të Kulturës, Ehat Oreshka, pas paralajmërimeve për mosmbajtjen e edicionit të sivjetme të festivalit të këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”.

Në seancë, ndërkaq nuk morën pjesë kryetari Haskuka,  këshilltarët e Vetëvendosjes si dhe ata nga partitë e komuniteteve turke e boshnjake. Këtë e kanë kritikuar pothuajse të gjithë folësit nga opozita (PDK e AAK), ndërkaq më i zëshmi ka qenë Baldedaj, i cili dhe ishte iniciues i kësaj seance.

“Në qeverisjen Haskuka vërehet ndikimi i madh i Turqisë, aq sa janë mirë koordinuar Vetëvendosje dhe partia turke KDTP, sa që as në mbledhje të jashtëzakonshme nuk marrin pjesë”, ka thënë ai, në foltoren e KK-së.

Baldedaj ka shtuar se ky është tregusi më i mirë se kush po qeverisë me Prizrenin./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.