Baldedaj nga AAK: Drejtoria e Arsimit në Prizren është futur në skandale
Kryetari i grupit të këshilltarëve të AAK-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Ilir Baldedaj ka kritikuar për skandale Drejtorinë e Arsimit në Prizren, duke prezantuar disa dëshmi për pagesa të kundëligjshme.
Ai përmes një postimi në profilin e tij në “facebook” ka hedhur kritika për siç ka thënë edhe kapjen e DKA-së nga ish-drejtori i larguar për Arsim, Skënder Susuri, që “me zarët e tij e kanë futur drejtoreshën në lajthitje duke marrë vendime të kundërligjshme”.
Postimi i plotë i Baldedajt:
“Drejtoresha e DKA-së, Xhemile Thaçi Vezgishi, nuk ka pranuar ta heq nga sistemi i pagave mësimdhënësen e shkollës “Lorenc Antoni” edhe pse prej shtatë muajsh nuk ka mbajtur orët e saj.
Genita Hoxha, është vajza e Ridvan Hoxhes, ish-Ushtrues i Detyrës në shkollën e mesme të lartë “Luciano Motroni”. Ridvan Hoxha është mik i afërt i këshilltarit së DKA-së Skender Susuri, i cili i ka kërkuar drejtoreshës së DKA-së për të mos e hequr nga paga e mësimdhënësen Genita Hoxhen, edhe pse drejtori i shkollës së mesme të lartë “Lorenc Andoni”, Vesel Krasniqi i ka dërguar të protokolluar mbi shtatë shkresa ku e ka njoftuar dhe ka kërkuar nga DKA për të marrë masa.
Drejtoresha Veçgishi ka mbyllur sytë duke mos nxjerrë asnjë vendim për ndalesën e pagës dhe për ndërprerjen e kontratës. Një ditë më parë aktivisti i NISMA-s, Leart Batusha, me anë të një shkrim të postuar në rrjetet sociale e ka ngritur dhe këtë shqetësim, dhe pas interesimit tonë, kemi gjetur disa nga vërejtjet që drejtori i shkollës i ka dërguar drejtoreshës së DKA-së, ku bie në sy kërkesa për ta larguar nga puna dhe për t’i ndalur pagën. Ky është vetë një prej dhjetëra skandaleve që ka bërë Xhemile Thaçi Vezgishi me këshilltarin e saj Skender Susuri gjatë këtyre muajve.
Arsimi tashmë është kapur nga Skender Susuri. Ai në bashkëpunim me tre drejtorët e shkollave fillore: Islam Bajramin, Maxhun Krasniqin dhe Sedat Bajramin të cilët i vendos kryetarë të komisioneve zgjedh anëtarët e konkurseve, emrat e fituesve.
Susuri me zarët e tij e kanë futur drejtoreshën në lajthitje duke marrë vendime të kundraligjshme. Ndaj saj janë hapur me dhjetëra raste në Prokurori dhe shumë shpejt drejtoresha e DKA-së do të përballet me drejtësinë”, ka shkruar Baldedaj.