24-11-2024

Banorët e disa fshatrave të Malishevës protestojnë për rrymë të dobët, s’lejojnë leximin e orëmatësve

Banorët e Mleçanit, Gollubocit dhe Plloçicës së Malishevës po vazhdojnë të rrezikohen nga shtyllat elektrike, të cilat janë shumë afër rrëzimit.

Ka disa vjet me radhë që banorët i janë drejtuar KEDS-it që të intervenojë në rregullimin e sistemit të rrjetit elektrik, por një gjë e tillë as pas gjithë kësaj kohe, nuk ka ndodhur.

Banorët, të revoltuar me këtë gjendje dhe me tensionin tejet të ulët të energjisë, i cili është instaluar afër 50 vjet më parë, vendosën që të dalin dhe të protestojnë.

Ata thonë se sa herë ka erëra të forta, energjia u ndërpritet derisa shumë shpesh vetë është dashur të intervenojnë për rregullimin e rrjetit.

Shkaku i tensionit të ulët, atyre u janë prishur edhe pajisjet elektrike.

Ata tashmë nuk i kanë lejuar inkasantët e KEDS-it të bëjnë leximin e njehsorëve të rrymës derisa shprehen se as nuk do t’i paguajnë faturat e energjisë .

Banorët e këtyre tri fshatrave paralajmërojnë se nuk do të ndalen vetëm me këtë protestë.

Ato të radhës, sipas tyre, do të ashpërsohen deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Kohavisioni e ka pyetur edhe kompaninë KEDS lidhur me çështjen, por zëdhënësi i saj nuk ka kthyer përgjigje.

Ka disa muaj që kjo kompani kishte premtuar se do të intervenojë në rrjetin elektrik në këto tri fshatra për ta zgjidhur problemin e këtyre banorëve./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.