Bashkimi humb, Trepça fituese e Kupës së Kosovës
Rikthehet Trepça e madhe në basketboll. Trepça e spektaklit dhe e trofeve. Skuadra mitrovicase, të dielën në mbrëmje, në palestrën “Karagaçi” në Pejë, e fitoi Kupën e Kosovës, pasi në finale e mundi Bashkimin e Prizrenit, me rezultat 76:62.
Ndeshja ishte dramatike dhe me kthesa në rezultat gjatë tre çerekëve të lojës, por në çerekun e fundit ishin mitrovicasit që e bënë dallimin dhe në fund me meritë iu gëzuan fitores, falë edhe paraqitjes së shkëlqyeshme të Drilon Hajrizit, i cili realizoi 24 pikë, 12 kërcime e 3 asistime. Ky i fundit njëherësh u shpall edhe MVP i “Final 8” të Kupës së Kosovës.
Kësisoj, trofeu i Kupës së Kosovës rikthehet në qytetin e Minatorëve pas 10 vjetësh.
Trepça fillimisht e mposhti Rahovecin në çerekfinale, derisa në gjysmëfinale e mundi Pejën./rtk