Bashkimit i kushton 777 euro çdo pikë e lojtarit që e përzuri
Pikët që kanë shënuar plejmejkeri Aleksandar Gruev dhe qendra Ljubo Shamadan edicionin me fanellën e Bashkimit, i kanë kushtuar shumë shtrenjtë ekipit nga Prizreni. Ata kanë luajtur në pak ndeshje me klubin sezonin e shkuar kur doli kampion dhe shpejt u përzunë, megjithëse kishin kontrata të firmosura.
Të dy lojtarët të drejtën e tyre për kompensim e kërkuan pranë Tribunalit të Arbitrazhit të Basketbollit (BAT) në kuadër të FIBA-s dhe e fituan, shkruan sot Koha Ditore.
Bashkimi ka njoftuar të hënën se për tre lojtarë që kanë fituar në BAT, duhet t’i kompensojë ata dhe të paguajë shërbimet e tjera që ia ka ngarkuar kjo gjykatë në vlerë të përgjithshme – 68.652 euro.
Më së shumti i ka kushtuar bullgari Gruev. Për të dhe për shërbimet e gjykatës rreth rastit të tij, Bashkimi duhet të paguajë 32.670 euro. E kur llogaritet se ai ka luajtur vetëm pesë ndeshje dhe ka shënuar gjithsej 42 pikë, i bie që për një pikë të tij Bashkimi tash të paguajë 777 euro.
Dy lojtarët e tjerë që kanë fituar betejat ligjore me Bashkimin në BAT janë kroati Shamadan dhe amerikani Eric Palm. Për Shamadanin dhe shpenzimet e gjykatës për rastin e tij, Bashkimi duhet të paguajë 22.470 euro. Edhe ai ka luajtur pak: tetë lojë dhe ka shënuar 50 pikë.