Grabitja në Suharekë: Bastisje në argjendarinë “Baraku”, pas arrestimit të pronarit si i dyshuar për përfshirje
Zyrtarët policor së bashku me zyrtarë doganor edhe të premten e kanë mbajtur të “bllokuar” argjendarinë “Baraku”, pronari i së cilës u arrestua dje për përfshirje në grabitjen në Suharekë, raporton Ekonomia Online.
Aksioni është kryer nga katër zyrtarë policorë dhe zyrtarët doganor të cilët kanë kryer hetim në lidhje me prejardhjen e arit në këtë argjendari.
Pas përfundimit të këtij aksioni, janë parë duke dalë zyrtarë doganor me thasë në duar me provat dhe dëshmitë e marra nga ky lokal.
Dje u arrestua pronari i argjendarisë, me inicialet T.B. I arrestuari dyshohet se ka bashkëpunuar me grabitësit që kryen plaçkitje në një argjendari në Suharekë të mërkurën e kaluar.
Deri tash, janë arrestuar shtatë persona në lidhje me grabitjen në Suharekë javën e kaluar. Një i dyshuar që mori pjesë në grabitjen në Suharekë u vra gjatë operacionit policor në lagjen “Arbëria”.