BE thirrje Kosovës: Zgjedhjet e parakohshme të shpallen sa më shpejtë
Bashkimi Evropian ka reaguar pas tensioneve në javën e fundit në veriun e Kosovës. Përmes një njoftimi zyrtar, BE ka kërkuar që situata të shtensionohet dhe kryetarët e zgjedhur të katër komunave në veri punën ta bëjnë në objekte alternative, e jo në ato komunale. BE ka kërkuar nga Kosova që të tërheq forcat e rendit të cilat janë afër objekteve komunale ndërsa ka shprehur shqetësim edhe për ngritjen e gatishmërisë së ushtrisë serbe.
“Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të vendosura. Dështimi për të shtensionuar situatën do të çojë në pasoja negative” – thuhet në njoftim.“Presim që Kosova të veprojë në mënyrë jo shkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale” – thuhet në njoftim.
Evropianët ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë “dhe pa kushte të marrin masa për të shtensionuar situatën, të ndalojnë përdorimin e retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar”.
“Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje” – thuhet në reagim.BE ka përmendur edhe urdhrin e presidentit serb, Aleksander Vuçiq që ushtria të rritë gjendjen e gatishmërisë.“Ne shprehim shqetësimin për gjendjen e gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe” – thuhet tutje ne komunikatën e BE-së.