Në Prizren, në balotazh janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ndërsa iniciativa e Berishës ka rreth 5 për qind të votave në garën për kryetar të komunës.

“Për herë të pestë po më bie t’i çoj gërshërët te kovaçi për t’i mprehur, për këtë çështjen e kryetarit të komunës”, ka thënë Berisha për Periskopin.
Berisha, para disa muajsh, i ndau rrugët me Nismën e Fatmir Limajt, me të cilën kishte bashkëpunuar politikisht për disa vite. Përmes një postimi në Facebook, para zgjedhjeve lokale, ai njoftoi se do ta nisë punën me iniciativën e tij të re.
Berisha i quajti “të mjerë” ata që kanë menduar se ai është investim i dikujt.
“Unë në politikë nuk jam aksidentalisht. Për mua nuk ka investuar askush. Jam ky që jam për shkak të familjes dhe rrethit tim, dhe janë të mjerë ata që mendojnë se në këto zgjedhje kam qenë investim i dikujt”, tha Berisha, duke mos specifikuar me emra se kujt po i drejtohej me këtë mesazh.
Sa i përket mbështetjes në balotazh, ai tha se ende nuk e ka ndarë mendjen, por do të jetë i kujdesshëm se kë do ta përkrahë, duke dhënë tri opsione.
“Do të jem i kujdesshëm në balotazh, sepse Prizreni është qytet i rëndësishëm, nuk është si Dragashi apo Shtimja, por qyteti i dytë pas Prishtinës. Janë tri opsione është Artani, Shaqa, ose mundësia të jem indiferent në këtë betejë politike”, tha Berisha./Periskopi