10-09-2025

Berisha prezanton platformën e BDP-së për Prizrenin

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga Bashkimi Demokratik, Zafir Berisha,  prezantoi platformën programore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, me moton “Nga Prizreni për Prizrenin!”, duke thënë se fokusi kryesor i kësaj platforme është në zhvillimin ekonomik, infrastrukturë dhe urbanizëm

Ai po ashtu përmendi edhe fushat në arsim dhe shëndetësi, kulturë dhe trashëgimi, rini dhe sport, mjedisi dhe ekologjia, transparenca dhe digjitalizimi.

Postimi i plotë i Zafir Berishës

BASHKIMI DEMOKRATIK I PRIZRENIT!

Platforma programore e BDP për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
BASHKË, NGA PRIZRENI PËR PRIZRENIN!
Vlerat tona: Respekti për qytetarin dhe qytetin, ndershmëria, fjala e dhënë, solidariteti, barazia për të gjithë, liria e mendimit si dhe respektimi i diversitetit politik, kulturor, fetar dhe etnik!

Vizioni ynë për Prizenin: zhvillimi ekonomik, administratë efikase dhe transparente, infrastrukturë dhe urbanizëm modern, arsim dhe shëndetësi cilësore, jetë aktive kulturore e sportive, mjedise ekologjike, turizëm modern dhe bujqësi e zhvilluar.

Objektivat tona do të jenë në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese të pushtetit lokal dhe në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore për interesat e qytetarëve të Prizrenit.
Investime cilësore në rrugë, trotuare, kanalizim të ujërave të zeza dhe ndriçim publik; sinjalistikë rrugore, transport publik funksional e të qëndrueshëm në qytet dhe fshatra;

Mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore të Prizrenit. Qyteti ynë ka një trashëgimi unike historike e cila duhet të ruhet dhe promovohet si pjesë e identitetit qytetar.

Mbrojtja dhe restaurimi i objekteve historike në bashkëpunim me ekspertë të fushave përkatëse.

Rivitalizimi i hapësirave dhe programeve për të rinjtë; qendrave rinore si dhe trajnime profesionale, projekte kulturore e sportive, me qëllimin për të rritur mundësitë që të rinjtë t’i qasen më lehtë tregut të punës.

Lehtësira dhe mbështetje për sipërmarrësit lokalë, sidomos në sektorët e turizmit, zejtarisë dhe teknologjisë.

Krijimi i kushteve dhe mbështetja e turizmit rural dhe malor.
Pastrimi i lumenjve (sidomos Lumbardhit), menaxhimi i mbeturinave dhe krijimi i sistemit të riciklimit për ta bërë Prizrenin një qytet të mirëfilltë ekologjik.

Rritja e sipërfaqeve të gjelbërta dhe krijimi i parqeve në lagjet që kanë mungesë të tyre.

Krijimi i platformave digjitale për konsultim me qytetarët dhe marrja e propozimeve të tyre; si dhe raportim i rregullt për punët e kryera nga komuna, shpenzimin e buxhetit dhe projektet e realizuara.

Bashkë, për të mirën e Prizrenit!
#BDiPrizrenit
Zafa

#BDiPrizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.