24-11-2024

“Besniku, Blerta, Mimoza, Fitorja Travel”, këta deputetë shpenzuan më së shumti në udhëtimet jashtë vendit

Mbi 60 mijë euro është shuma që harxhuan deputetët e Kuvendit të Kosovës vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2023 për avio-bileta, para xhepi, shërbime telefonie, akomodimi dhe shpenzime të klasifikuara tjera.

Mbi 18 mijë euro u shpenzuan për avio-bileta, mbi 14 mijë për para xhepi, 12 mijë e 600 për akomodim, 13 mijë e 800 euro për telefoni* dhe mbi 2 mijë për shpenzime tjera, raporton “Front Online”.

Të dhënat i siguroi portali “Front Online” nga Kuvendi përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.

Shpenzimet e ligjvënësve për avio-bileta

Në janar, shkurt dhe mars të 2023-ës u harxhuan mbi 18 mijë euro.

Prej tyre, mbi 8 mijë në janar, 4 mijë në shkurt dhe 5 mijë e 500 në mars, raporton “Front Online”.

Pesë prej pagesave u bënë tek e njëjta kompani, vetëm një jo.

Deputetët harxhuan mbi 14 mijë euro para xhepi, Besnik Tahiri kampion

Mbi 14 mijë euro para xhepi shpenzuan deputetët e Kuvendit të Kosovës vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2023.

Kampion në këtë kategori është shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. Ka harxhuar  1,526 para xhepi në  tri udhëtime zyrtare, raporton “Front Online”.

Pas tij vjen deputetja e PDK-së, Blerta Deliu. Ka harxhuar 1,270 para xhepi për dy udhëtime zyrtare.

E treta është deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, me 911 euro të harxhuara në tri udhëtime zyrtare, raporton “Front Online”.

E katërta rangohet Mimoza Kusari Lila. Ajo ka harxhuar 854 euro para xhepi në katër udhëtime të ndryshme.

E pesta pozicionohet Rrezarta Krasniqi, deputetja e LDK-së, me 783 euro të harxhuara.

Vijnë pastaj Erxhan Galushi, deputet nga radhët e komunitetit rom, me 693 euro, po kaq ka edhe Driton Selmanaj i LDK-së, Floreta Zejnullahu e PDK-së 637 euro, Avdullah Hoti, me 577.5 sosh, Enis Kervan dhe Saranda Bogujevci, me nga 553 euro secili, para xhepi të harxhuara, raporton “Front Online”.

Deputetët harxhojnë mbi 12 mijë euro për akomodim, prin Besnik Tahiri

Mbi 12 mijë e 600 euro shpenzuan për akomodim deputetët e Kuvendit të Kosovës vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2023.

Besnik Tahiri është “baba” i shpenzimeve edhe tek kategoria për akomodim.

Ai ka harxhuar 1257 euro për akomodim në SHBA e Francë.

Pas tij renditet kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, i cili ka shpenzuar 937 euro për një akomodim në Francë, raporton “Front Online”.

900, vartësja e tij, Saranda Bogujevci, po ashtu për një akomodim në Francë. Po kaq Enis Kervan.

Nga 898 euro secila kanë shpenzuar deputetët Floreta Zejnullahu e PDK-së dhe Rrezarta Krasniqi e LDK-së.

Shpenzimet e deputetëve për shërbime telefonike

Deputetët kanë shpenzuar 13 mijë e 800 euro për shërbime të telefonisë për muajt janar, shkurt e mars të 2023-ës.

*Megjithatë këtu janë bartur edhe shpenzimet e muajit nëntor dhe dhjetor 2022, si obligime të papaguara.

Më së shumti para tek kjo kategoria janë harxhuar në muajin janar.

Asnjë koment

Comments are closed.