24-11-2024

Beteja e Jeshkovës një ndër epopetë më madhështore në historinë e kombit

Në nderim të 20 vjetorit të Betejës së Jeshkovës dhe rënies së 21 dëshmorëve të kombit, në Prizren është mbajtur akademi përkujtimore, ku është thënë se kjo betejë do të ngel një ndër epopetë më madhështore të historisë së kombit.

Duke qenë se akademia është organizuar nën patronatin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, kurse homazhe janë zhvilluar nga Komuna e Prizrenit, pakënaqësi për këtë ndarje ka shprehur veterani dhe pjesëmarrësi në këtë betejë Baki Latifi.

Latifi është shprehur se është turp që po i ndajnë dëshmorët, teksa ka bërë thirrje që politika të largojë duart nga politika.

Në anën tjetër, ministri i Kulturës Kujtim Gashi, tha se Beteja e Jeshkovës dhe rënia e dëshmorëve të kombit 20 vjet pas, e forcojnë ndjenjën, shpirtin e atdhetarisë shqiptare për rolin kombëtar dhe historik të luftës së UÇK-së.

Gashi tha se historia do të shkruaj se dalja dhe lufta çlirimtare e UÇK-së dhe beteja e Jeshkovës, shënoi kthesën më të madhe të historisë së kombit.

Ministri Gashi u shpreh se pa luftën heroike edhe të njësisë speciale të brigadës 125 nuk do të kishte krijim të aleancës ushtarake dhe diplomatike të UÇK me NATO-n dhe SHBA-të, nuk do të ngrihej Bondstilli dhe se nuk do të kishte shpallje të shtetit të pavarur të Kosovës. Aq më pak, Gashi tha se nuk do të mund të ishin sot në rrugën e sigurt drejt integrimeve veri-atlantike dhe mbi të gjitha drejt anëtarësimit të ushtrisë së Kosovës në NATO.

Ndërkaq, sekretari i shoqatës së veteranëve Isa Berisha, tha se po përkujtohet një ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së.

Ai tha se morali dhe qëllimi i ushtarëve ishte që një herë e përgjithmonë të çlirohen nga Serbia.

Duke iu drejtuar familjeve të dëshmorëve, Berisha u tha që të jenë krenar se bijtë e tyre ranë për të mos vdekur kurrë dhe që sot të gëzohet liria.

Ndërkaq, kryetari i fshatit Jeshkovë, Xheladin Krasniqi, ka treguar një histori për këtë fshat.

Përndryshe, gjatë ditës janë bërë edhe homazhe në fshatin Jeshkovë./KosovaPress/

Asnjë koment

Comments are closed.