Beteja e Lumës kundër serbëve në Qafë të Kolesjanit – unikale
Më 9 e 10 nëntor 1912, dy njësi të posaçme ushtarake serbe, njëra nga Prizreni historik e tjetra nga Gjakova, morën detyrën luftarake të pushtonin të gjithë Shqipërinë Veriore, të hynin në Lezhë e prej andej të zgjeronin zonën e pushtimit deri në Vlorë. Një tjetër divizion u nis nga Maqedonia për në Dibër.

Serbët, edhe pse në tetor të vitit 1912, në Shtimje, Caralevë e në Qafë Duhël, morën goditje befasuese dhe të fortë nga luftëtarët patriotë shqiptarë lumjanë e dibranë, që luftuan si luanë në mbrojtje të tërësisë tokësore të vendit të tyre, nuk hoqën kurrë dorë nga synimet e tyre pushtuese, fillimisht për të bërë realitet idenë e çmendur të Çubriloviçit, që të shtinin në dorë të gjithë tokat shqiptare në krahun e djathtë të rrjedhjes së lumit Drini i Zi e pastaj për të shkuar edhe më tej, për të siguruar dalje të Serbisë në Detin Adriatik. Prandaj, ata aktivizuan sërish korparmatat e divizionet e tyre dhe u vërsulën drejt kufijve verilindor të Shqipërisë.


Beteja filloi më 14 nëntor 1912, dhe zgjati deri më 25 nëntor. Të parët e filluan luftën kundër serbëve ishin forcat e bajrakut të Radomirës dhe i pari dëshmorë i vrarë në këtë betejë është Ibrahim Haxhi Zeqiri po nga Radomira. Forcat dibrane në betejën e Lumës (Kolesjanit) komandoheshin nga Baftjar Doda, Xhafer Doda, Selman Alia, Elez Isufi, Dali Meçi, Dali Dervishi, Sufë Xhelili etj.. Ndërsa forcat lumjane komandoheshin nga Islam Spahiu, Cen Daci, Ramadan Zaskoci, Ramadan Çajku, Ejup Topojani, Hasan Bajraktari (Can Rexha), Qazim Lika etj.

